Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, nuk e ka të plotë grupin për ndeshjen e radhës me Lushnjën. Kësisoj, ka nisur që në fillim të javës të mendojë për formacionin. Dihet tashmë se tri janë mungesat e detyruara për këtë takim: portieri Vujadinoviç, mbrojtësi Baçi dhe mesfushori Belisha, të cilët nuk do jenë të gatshëm për arsye kartonësh. Gjithashtu, ende nuk është bërë e qartë nëse dhe kapiteni Beqiri do mund të jetë në formacionin që do përballet me Lushnjën këtë fundjavë. E ndërsa mbrojtësi vijon të përgatitet në mënyrë të diferencuar nga grupi, në dyshim mbetet edhe sulmuesi Tomisllav Bushiç, që u dëmtua në ndeshjen e kupës me Partizanin.

Megjithatë, stafi mjekësor po mundohet të bëjë të pamundurën që deri ditën e ndeshjes kroati të jetë pjesë e grupit. Dihet që edhe trajneri Agim Canaj është i pezulluar dhe nuk mund të udhëheqë nga stoli. Nisur nga gjithë këto mungesa e shqetësime, tekniku Canaj dhe ndihmësi i tij Samuel Nika, që do të drejtojë edhe takimin me Lushnjën, po mundohen të gjejnë zëvendësuesit e duhur, me qëllim që të mos ndihen shumë boshllëqet.
Formacioni Porta mbetet një nga shqetësimet e drejtuesve të Vllaznisë, jo se nuk besojnë te vlerat e Selimajt, pasi ata kanë shumë besim te ky portier, por për vetë faktin që ai është aktivizuar vetëm në turin e parë të kupës. Megjithatë, Selimaj do të ketë përkrahjen e plotë të tyre për të kaluar me sukses këtë përballje. Ndërkaq, në mbrojtje lëvizjet nisin me kthimin e Sykajt në qendër, ku do të jetë bashkë me Krajën. Kalimi i tij në qendër bën që Semina të spostohet në të majtë të mbrojtjes, në vend të Baçit, ndërsa në të djathtë do të jetë Gocaj. Në mesfushë, Hajdari dhe Shtubina do të luajnë nga krahët. Autori i golit me Tiranën, Hajdari, do të luajë në rolin e tij natyral, pasi në majë të sulmit pritet të kthehet Bushiç (gjithnjë nëse do të jetë gati). Në qendër të mesit të fushës pritet të luajë Tafili në vendin e Belishës. Kurse para tij do të jenë të rinjtë Bardulla e Kruja. Deri tani këto priten të jenë ndryshimet në formacionin e parë, që drejtuesit e klubit po programojnë për sfidën.

Admir URUÇI