Vendimi i FSHF-së për të ndihmuar futbollistët dhe stafet e tyre në këto kohë të vështira, ishte padyshim i duhuri. Shuma prej 30 mijë lekësh të rinj nuk zgjidh hallet e atyre që kanë nevojë, por është një ndihmë në këto kohë krize dhe një gjest që i bëjnë të mendojnë se dikush po mendon për ta. Dikush ende nuk i ka harruar. Padyshim, Duka fitoi pikë me këtë gjest në popullin e futbollit dhe kjo bën pjesë në kalkulimet e tij për të ardhmen.

Kjo inciativë, me një kosto të konsiderueshme finanicare, ishte edhe një gol i FSHF-së kundër qeverisë. Në një nga momentet më të vështira, qeveria refuzon të fusë në paketën e ndihmës sportistët dhe veçanërisht futbollin. Harrojnë që te futbolli nuk nuk bëjnë pjesë vetëm zyrtarët e FSHF-së dhe disa lojtarë të paguar me shifra të majme në Superiore. Me futboll jetojnë edhe mijëra të tjerë që marrin rroga modeste dhe me to mbajnë familjet. Një indiferentizëm i tillë kundrejt mijëra njerëzve që punojnë në sport dhe në futboll, është në kufijtë e të pabesueshmes.

Rasti “Vllaznia”

Një ditë pas shpalljes së paketës së ndihmës finanicare, FSHF njoftoi edhe mënyrën se si do të shpërndahen paratë dhe kush përfiton. Pikërisht këtu ka disa gjëra të diskutueshme. Së pari, federata citon vetëm Kategorinë Superiore, ndonëse edhe Kategoria e Parë është gjithashtu profesioniste.

Ka lënë jashtë klubet që varen plotësisht nga bashkitë. Deri diku e kuptueshme si zgjedhje, sepse lojtarët paguhen me rroga të pranuara qyshse nga fillimi i sezonit dhe fondi për rrogat e tyre është përcaktuar si pjesë brenda buxhetit të çdo bashkie që në fillim të sezonit, kur nuk flitej fare për pandemi.

FSHF ka bërë një përjashtim vetëm për Vllazninë.

Dhe këtu hapet një debat i ri për korrektësinë dhe paanshmërinë e FSHF-së. Të kuptohemi drejt, lojtarët dhe stafi i Vllaznisë e meritojnë padyshim çdo ndihmë të FSHF-së, por po kaq e meritojnë edhe të tjerët… Njësoj do ta meritonin edhe ata të Lushnjës, Beratit, Elbasanit, Pogradecit, e çdo klub tjetër që është i varur nga bashkitë. Natyrisht, FSHF dhe drejtuesit e saj kanë të drejtë të thonë edhe se “paratë janë tonat, ia ndajmë kujt të duam”, por në aspektin moral ky është një autogol. Po aq i madh, sa i ai qeverisë që kujtohet pas shtatë vitesh të thotë se futbollistët u paguakan si fasonë. Ndërkohë, sot 61 bashkitë e vendit i drejton e majta…

FSHF

Një tjetër handikap është edhe çfarë ndikimi do të ketë kjo nismë e FSHF-së në raport lojtarë-klub. E thënë ndryshe: a do të kenë të drejtë lojtarët e Superiores, por edhe të gjitha klubeve të tjera të përfshira në paketën e ndihmës së FSHF-së që të kërkojnë pagesën sipas kontratës së firmosur në fillim?

A i lind e drejta klubeve të ndryshme që një apo dy muaj ti konsiderojnë të paguar?