Për të kuptuar diferencat në të ardhura për klubet e mëdha angleze kundrejt të tjerëve në Europë duhet hedhur një sy për të ardhurat nga e drejta televizive.

Për herë të pare, Premier League po shkon drejt një rekordi nga të ardhurat e shitjes së të drejtave TV dhe po për herë të pare, paratë e fituara nga shitja e tyre jashtë gadishullit mund të kalojnë të ardhurat që vijnë nga vetë Britania e Madhe.

Konkretisht, në Angli, të drejtat TV për vitet 2022-2025, ku do të ndahen mes Sky Sports, BT, Amazon e BBC do të arrijnë 5 miliardë Paund ose 6 Miliardë Euro pak a shumë.

Kur kjo dihej, ajo që bën përshtypje janë të ardhurat në rritje eksponenciale nga shitja e të drejtave ndërkombëtare, pra jashtë Britanisë së Madhe.

Në Amerikë, Australi, për disa zona të Europës, Lindjes së Mesme, ka një rritje të madhe të çmimit dhe në total arrijnë po 6 miliardë Euro ose pak më shumë se ato që përfitohen në Angli.

Dhe të gjitha këto të ardhura shpërndahen në pjesën më të madhe për klubet dhe po të shikohen vendet e tjera, psh, Italia, diferencat janë skandaloze.

Seria A përfiton vetëm 600 mln Euro në total nga shitja e të drejtave TV pra 10 herë më pak se 6 miliardë Eurot që përfitohen në Premier League. Jo më kot, klubet e Premier League kanë shumë para për të shpenzuar në merkato dhe janë të vetmit që shpenzuan miliona gjatë verës së pandemisë në merkato.