Moti i ftohtë ka “trembur” tifozët shkodranë për të qenë në një numër të konsiderueshëm dje në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Gjithsesi, rreth 1800 prej tyre kanë mbështetur skuadrën në çdo moment, ndërsa janë acaruar jo pak me sjelljen e kapitenit të Skënderbeut, Vangjel Zguro. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme mes Vllaznisë dhe Skënderbeut.
* Për herë të parë gjatë këtij sezoni, shiritin e kapitenit në ndeshjen ndaj korçarëve e mbajti Arsid Kruja. Kjo erdhi për shkak se mungonte kapiteni Erdenis Gurishta dhe zv.kapiteni Ardit Krymi. Të dy lojtarët ishin të pezulluar për shkak kartonësh.
* Ka një moment ilariteti mes tifozëve, pasi arbitri kryesor Erjon Bastari, ngatërrohet me këmbët e tij dhe rrëzohet në fushë.
* Trajneri Tomas Brdariç, në një moment gjatë pjesës së parë i “vërsulet” boshnjakut Heriç, i cili nuk mbulon një zonë bosh në fushë.
* Në minutën e 62-të loja ndërpritet për disa momente, pasi tifozët shkodranë nuk kursejnë fyerjet kundër mbrojtësit të majtë të korçarëve, Vangjel Zguro. Kapiteni Kruja detyrohet të shkojë poshtë tribunës për të qetësuar mbështetësit, të cilët “kapen” shpesh me pogradecarin, duke i kujtuar edhe sjelljet e ndeshjes së shkuar. Në një moment Zguro bëhet protagonist me një ndërhyrje të ashpër ndaj Jonuzit dhe stafi i Vllaznisë kërkon ndëshkim maksimal për lojtarin, i cili e tepron edhe më tepër, kur i vendos duart në fytyrë Da Silvës.
* Gjatë lojës pati “shkëndija” në distancë mes trajnerit Migen Memelli dhe përgatitësit të portierëve, Ideal Lekiqi, të cilët shkëmbyen fjalë mes tyre.
* Në fund të ndeshjes ka “paqe” mes Zguros dhe kampit shkodran. Kapiteni i Skënderbeut i zgjati dorën trajnerit Brdariç, duke i uruar suksese dhe ndoshta kërkuar falje për acarimet gjatë lojës.
* Në minutën e 61-të, Brdariç largoi nga fusha Gjurgjeviçin dhe aktivizoi Aralicën. Në momentin e zëvendësimit sulmuesi nga Maqedonia e Veriut shfaqi qejfmbetje për këtë vendim të trajnerit, ndërsa ky i fundit u mundua t’ia shpjegojë lojtarit pse e bëri këtë.
* Entuziazëm në fund kur Vllaznia shënon golin e dytë me Aralicën. Përgëzimet më të mëdha për Çoben që jep asistin për golin e kroatit. Në këtë moment Hakaj u kërkon tifozëve që të vazhdojnë deri në fund mbështetjen, duke mos festuar vetëm pas golit.
* Ka edhe tifozë që “pushtojnë” fushën në përfundim të takimit, por që neutralizohen nga ana e forcave të sigurisë.