Kukësi duket se po krijon shumë shpejt varësi. Bëhet fjalë për sulmuesin Gabriel Barbosa, i ardhur në limitet e merkatos së verës në formë huazimi nga ekipi i Levadiakos, me synimin për të bërë bomberin te verilindorët. Deri më tani ai është aktivizuar në gjashtë takime në kampionat, pesë prej të cilave titullar, pasi rifitoi edhe formën e tij optimale pas mbërritjes në skuadër.

Braziliani ka shënuar dy gola në fitoret me Laçin dhe Erzenin në transferta, duke i dhënë një tjetër impuls fazës ofensive dhe lënë kështu në hije edhe dy sulmuesit e tjerë, Ante Zivkoviç dhe Kejdi Daci.

VARËSIA – Deri më tani te Kukësi, nëntë golat e shënuar kanë gjashtë autorë të ndryshëm, duke mos e pasur të theksuar varësinë te një lojtar. Mirëpo, në ndeshjet e fundit të verilindorëve duket se sulmi rrotullohet vetëm rreth brazilianit, aq sa në sfidën e humbur me Erzenin, thuajse çdo goditje drejt portës erdhi nga këmbët ose më saktë koka e Barbosës, i cili njihet për luftën në ajër. Vetëm shtylla e ndali të mos festonte, me një Kukësi që kishte detyra të qarta për të harkuar në zonë dhe gjetur sulmuesin.

Me pak fjalë, në Kukës për momentin i kanë varur shpresat te një futbollist që t’i zgjidhë ndeshjen dhe kur ai nuk është në formën e tij më të mirë ose i pafat, skuadra vë në rrezik edhe marrjen e rezultatit pozitiv.

Dobi arriti deri aty sa të ndryshojë edhe skemën për ta vënë skuadrën në shërbim të brazilianit, duke u dhënë shumë “pushtet” lojtarëve të krahut për të hedhur krosime në zonë. Tani që Kukësi do të ketë përballë Tiranën dhe për më tepër me një lojë që është studiuar nga rivalët, Dobi po kryen lëvizje të ndryshme në lojtarë dhe skema gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të gjejë një zgjidhje në rast se sulmuesi do të “izolohet” nga mbrojtësit bardheblu.