Pep Guardiola do të kërkojë fitoren e tij të 100-të në Ligën e Kampioneve dhe ku do të kishte moment më të bukur për këtë arritje të tij personale sesa në përballjen e sotme në “Bernabeu” ndaj Realit të Madridit dhe një strategu të vjetër siç është Karlo Ançeloti.
Dy trajnerët e kanë fituar Ligën e Kampioneve 6 herë mes tyre. Por katalanasi nuk e fiton Champions-in që prej vitit 2011, kur ishte në stolin e Barcelonës.
Prej atëherë trofeun më të rëndësishëm europian për klube e kanë fituar 8 trajnerë të ndryshëm, duke nisur nga Roberto di Mateo, kur mundi me Çelsin Bajernin në shtëpinë e tyre dhe i dhuroi suksesin e parë bluve të Londrës në Champions.
Bajerni do të fitonte tripletën një vit me vonë me Jup Hajnkesin në stol, në finalen 100% gjermane kundër Dortmundit në “Wembley”. Pastaj ishte radha e Realit me Ançelotin, Barcelonës së tij me Luis Enriken, dominimi 3-vjeçar i Realit të Zidanit, triumfi i Liverpulit me Klopin, i Bajernit me Flikun dhe i Tomas Tuhelit me Çelsin, pikërisht kundër Mançester Sitit të tij.
Në fakt, finalja e parë historike e “qytetarëve” në Portugali, ishte edhe viti të cilit Pep Guardiola iu afrua më shumë triumfit europian pas dy sukseseve me Barcelonën.
Në tri vitet në stolin e Bajernit ai shkoi gjithnjë në gjysmëfinale, ndërkohë që pas katër sezoneve të para me Sitin ku vitin e parë u eliminua në 1/8-at për të siguruar më pas tri çerekfinale radhazi, prej atëherë “qytetarët” kanë shkuar gjithnjë në gjysmëfinale.