Pa trajner prej largimit të Max Allegrit në fund të sezonit të mbyllur pak javë më parë, Juventusi është ende në pritje të Maurizio Sarrit dhe tashmë zbulohet arsyeja pse po zvarritet gjithçka.
Chelsea nuk ka realisht ndonjë plan për ta konfirmuar Sarrin dhe as që është menduar fare në këtë aspekt, sepse është i vendosur të ndahet me italianin, por mediat britanike raportojnë se ngërçi qëndron te pagesa që duhet të bëjë Juve.
Klubi anglez refuzon ta lërë të lirë falas Sarrin, ndryshe nga sa shpreson Juventusi, që deri tani nuk ka bërë asnjë koment për trajnerin e ri, duke shpresuar që Chelsea të lodhet i pari. Megjithatë, Sarri ka edhe dy vite kontratë me “Blutë”, me 5 milionë sterlina në sezon.
Ndërkaq, Juve i ofron 7 milionë euro në vit dhe marrëveshja është arritur, por tashmë Chelsea kërkon me ngulm 10 milionë sterlina dhe udhëtimi i drejtorit sportiv të Juves, Fabio Paratici, të mërkurën në Londër, nuk ka çuar te ndonjë zgjidhje e ndërmjetme.
Chelsea nuk e ka për herë të parë një situatë të tillë, sepse edhe kur do largohej Antonio Conte pushimi i tij u zvarrit deri në prag të sezonit të ri dhe një ditë pas pushimit të tij u emërtua trajneri i ri, vetëm 22 ditë përpara Superkupës së Anglisë./telesport/