Mason Mount përmbushi dëshirën këtë verë dhe kaloi nga Chelsea te Manchester United. “Djajtë e Kuq” paguan plot 60 milionë paund për shërbimet e 24-vjeçarit ndërsa i besuan edhe fanellën me numër shtatë që në të kaluarën e kanë veshur legjenda të United si Beckham, Cantona dhe Ronaldo.
Ndërkohë, në intervistën e parë pas transferimit në Old Trafford, Mount shprehet se e ndjeu që nuk bënte më pjesë në planet e Chelseat dhe për këtë arsye vendosi të largohej.
“U bë e qartë disa muaj më parë se drejtuesit e Chelseat nuk do të më përfshinin në projektin e ri dhe më pas sapo mora vesh se mund të transferohesha te United nuk u mendova dy herë. Bëhet fjalë për një klub shumë të madh ku kanë kaluar shumë legjenda dhe unë dua të jem pjesë.
Ishte një nga objektivat e mi kryesor që të isha pjesë e United që në fazën përgatitore për të qenë më pas gati në sezon. United është një familje e madhe dhe këtë kam mundur ta kuptoj menjëherë.
Numri 7? E kanë veshur lojtarë ikonë të United, unë kam qenë fans i tyre. Është shumë speciale të marr numrin shtatë. Ronaldon e shihja që kur isha i vogël, pastaj Beckham po ashtu ka qenë shumë frymëzues”, u shpreh Mount.