E kanë nisur mbarë vitin 2019 çiklistët e Vllaznisë. Ditën e sotme është zhvilluar gara e parë e këtij viti, trofeu “Tirana”, me itinerar Tiranë- Elbasan- Tiranë në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë çiklistët e Shqipërisë të cilët kanë konkurruar në të tre grupmoshat, kadetë, junior dhe seniorë.

Vllaznia është përfaqësuar në këtë aktivitet me shtatë sportistë, në të tre grupmoshat dhe në secilën prej tyre ka patur sportistë që janë ngjitur në podium.

Në garën e kadetëve, Mateo Balaj ndonëse ka qenë gara e tij e parë, ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe vetëm mungesa e eksperiencës e ka renditur atë në vendin e dytë.

Gjithsesi ky është një sukses për 14 vjeçarin që duket se do të ketë një të ardhme të mirë në këtë sport. Nga gara ne gare padyshim qe ai do te vije duke u rritur sepse nuk ka si te jete ndryshe ngaqe perkushtimi i tij eshte maksimal.

Gara e të rinjve (juniorë) dhe ajo e të rriturve (seniorë) ka qenë me itinerar të përbashkët. Në maloren e tunelit të Elbasanit, janë shkëputur një grup prej 8 çiklistësh, 5 prej të cilëve kanë qenë të Vllaznisë, 1 i Tiranës, 1 i Apolonisë dhe 1 i Skënderbeut.

Nga sportistët shkodranë në këtë grup kanë qenë Bruno Kola, Astrit Kronaj, Marçelo Kronaj, Gjergj Zefi dhe Defrim Dholla. Në xhiron e dytë, pikërisht në maloren e fundit, ka patur një shkëputje të çiklistit me shumë përvojë Besmir Banushi që ka mbërritur i pari në finish. Pas tij kanë mbërritur dy çiklistët e Vllaznisë Astrit Kronaj dhe Defrim Dholla.

Sa i takon të rinjve, Gjergj Zefi ka bërë një garë të shkëlqyer dhe është shpallur fitues ndërkohë që Defrim Dholla edhe për një defekt në biçikletë është renditur i treti.

Në këtë mënyrë, ky aktivitet është mbyllur në mënyrë të shkëlqyer për Vllazninë sepse në 9 vendet e podiumit për të 3 kategoritë, në 5 prej tyre janë ngjitur çiklistët shkodranë, çka tregon më së miri për dominimin e tyre në këtë aktivitet.

Një gjë të tillë e ka shprehur edhe presidenti i Federatës Skënder Anxhaku në ceremoninë përmbyllëse të aktivitetit kur ka përgëzuar këtë ekip dhe punën e trajnerit Leonat Kola prej së cilës kanë ardhur të gjitha këto suksese vitet e fundit.
© shkodrasport.com