Erald Çinari ishte heroi i Partizanit në triumfin e sotëm 8-1 ndaj Luftëtarit. Sulmuesi shkodran arriti të realizonte plot 4 gola, duke u ngjitur në kuotën e 9 golave në total. 23-vjeçari foli pas ndeshjes, teksa u shpreh se fitorja me goleadë erdhi si rrjedhojë se ishte Partizani mirë, dhe jo se kundërshtarët e Luftëtarit ishin keq.

NDESHJA – Ndihem shumë i lumtur. Ishte hera e parë që unë shënoj 4 gola në një takim. Besoj që kjo erdhi nga e gjithë skuadra, sepse punuam fortë. Çdo ndeshje kemi punuar fortë dhe kemi luajtur mirë, pavarësisht se nuk na ka dalë goli, këtë ndeshje doli dhe shpresoj që do të vazhdojmë kështu me fitore.

OBJEKTIVI- Për deri sa matematika na i lejon, ne do të vazhdojmë të besojmë te Europa deri në ndeshjen e fundit. Kualitetet dhe grupi janë. Thjesht kemi pasur një ngërç psikologjik. Shpresoj shumë që me këtë ndeshje ta kemi kaluar dhe të kemi vazhdimësi.

9 GOLA- Objektivi kryesor është të ndihmoj ekipin të arrij sa më shumë suksese, pastaj edhe gjërat individuale nuk duhen lënë pas, dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë. Do të thotë shumë të jesh golashënues i Partizanit.

KUNDËRSHTARI- Unë besoj se nga gjendja psikologjike e jona që ishte e rënduar nga disa humbje rresht unë mendoj që ishte një ndeshje e vështirë. Ne e shfrytëzuam rastin më së miri. Ishte një Partizan i mirë, jo se ishte Luftëtari i keq.