Gabimet e bëra para portës në ndeshjen e fundit ndaj Lushnjës do të mundohen t’i korigjojnë në takimin e së dielës ndaj Luftëtarit, në mënyrë që të merret një tjetër fitore që do t’u bënte jo pak punë në renditje. Një deklaratë të tillë e ka bërë para këtij takimi një nga protagonistët e rasteve të humbura ndaj lushnjarëve të mëkurën, pikërisht Erald Çinari në prononcimin e tij të sotëm para gazetarëve. Sipas tij, mbi të gjitha rëndësi ka të merret trepikëshi edhe në këtë takim.”Padyshim që tashmë vëmendja është përqendruar tek sfida me Luftëtarin, një ndeshje e fortë por besoj se është e kalueshme. Vërtetë kemi humbur shumë raste ndaj Lushnjes por nganjëherë të mungon edhe fati para portës kundërshtare.

Mbi të gjitha e rëndësishme është që morëm tre pikë në atë ndeshje dhe tashmë duhet të korigjojmë “shënjestrën” ndaj gjirokastritëve. Nuk ka rëndësi se kush shënon, puna është të marrim një tjetër fitore”- është shprehur ai.
Edhe mesfushori 21 vjeçari ashtu si Lika e Tafili pak ditë më parë, në daljen e tij publike, ka patur dëshirë t’i bëjë thirrje tifozëve për të qenë të pranishëm në numër edhe më të madh në shkallët e stadiumit këtë herë. “Tifozët janë frymëzimi jonë prandaj duhet të jenë pranë nesh. Vërtetë mund të jenë të mërzitur nga lojërat që kemi zhvilluar apo dhe mungesa e rezultateve por vetëm duke qenë pranë njëri-tjetrit, do ia dalim të kthehemi aty ku i takon Vllaznisë”- ka thënë Çinari në prononcimin e tij.

www.shkodrasport.com