Në pritje të rikthimit të skuadrës nga Italia, por edhe te zbulimit të detajeve konkrete për projektin e ri që ka nisur te Dinamo, një vëmendje të veçantë ka marrë fakti që kjo skuadër mund të ndryshojë logon, stemën, apo që mund të spostohet në Durrës.
Ndryshime këto që nuk pëlqehen nga opinioni futbolldashës në vend dhe ca më shumë nga ish-dinamovitët, ata që e ndjejnë më shumë se çfarë do të thotë fanella blu. Artur Çobani, një ish-lojtar i Dinamos dhe që çështjet ligjore i njeh mirë, pasi vlerëson projektin e ri, thekson në një intervistë për “Panorama Sport” se nuk ka mundësi që të bëhen ndryshimet që përfliten, duke e argumentuar çështjen.
Zoti Çobani, në pamje të parë cili është gjykimi juaj për atë që po ndodh te Dinamo, për projektin e ri me klubin e Mançester Sitit?
Ne mund të flasim për aq sa kemi mësuar nga shtypi këto kohë, sepse projektin konkret në detaje akoma nuk e dimë. Besoj se me kalimin e kohës do të sqarohet kjo pjesë. Nuk ka asgjë të keqe, madje është shumë mirë, apo edhe fat, që të ketë një bashkëpunim me një klub të madh si Mançester Siti. Është një klub me investitorë shumë të fuqishëm, që e ka shtrirë rrjetin e vetë edhe në klube të tjera europiane dhe tani këtë fat e ka edhe Dinamo. Aty ku ka investime, gjithmonë vijnë të mira, por në këtë rast duket se ka marrë më shumë vëmendje një ndryshim i logos apo lëvizje të skuadrës në Durrës.
Ju çfarë mendoni për këtë çështje, që vërtet ka hapur një lloj debati?
Të them të drejtën, jam skeptik për këtë pjesë. Më duket sikur ka një spekulim, ndoshta edhe dashakeqësi ndaj Dinamos. Sepse Dinamo nuk besoj se do të ndryshojë logo dhe as nuk do të shkojë në Durrës. Dinamo është vetëm një, ajo që është krijuar në vitin 1950 dhe ajo do të mbetet. Nuk besoj se drejtuesit do të bëjnë ndryshime, aq më tepër që presidenti bëri një ndryshim të D-së kur u kthye në Superiore dhe e riktheu më pas. Por, edhe nëse drejtuesit duan ta bëjnë këtë ndryshim, nuk munden.
Pse, çfarë i pengon?
Nuk mund ta bëjnë, sepse ka një procedurë ligjore të përcaktuar për situata të tilla. Një procedurë që kërkon kohë. Nëse krijohet një skuadër e re, me logo të re, duhet ta fillojë nga kategoritë inferiore, ndaj dhe them se ky ndryshim nuk mund të bëhet. Jo vetëm Dinamo, që ka historinë dhe vlerat e saj në futbollin shqiptar, por asnjë skuadër tjetër nuk mund ta bëjë këtë gjë pa respektuar rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s.
Kemi parë që tek Interi, PSG apo klube të tjera janë afruar investitorë kinezë e arabë, por klubet kanë mbetur po ato, emri dhe stema. As lëvizja e skuadrës në Durrës nuk besoj se do të ndodhë. Nëse duan të krijojnë një Dinamo të re të Durrësit, le ta bëjnë, por nuk ka lidhje me këtë skuadër, sepse Dinamo është krijuar një herë. Ndoshta ndryshimi do të ketë të bëjë me akademinë e Dinamos në raport me bashkëpunimin me Mançester Sitin, jo me skuadrën e parë.
Dinamo do të mbetet e Tiranës, ne kemi parë ashtu që ajo ka tashmë edhe shtëpinë e saj në Arbanë, një kompleks modern të ndërtuar nga presidenti Bardhi, me të gjitha gjërat e nevojshme. Është një arritje e madhe kjo që Dinamo ka shtëpinë e saj, sepse mund të kesh gjithçka në futboll, por kur nuk ke shtëpinë tënde, je si jetim. Ky projekt i ri unë them se do të sjellë shumë të mira për Dinamon dhe do ta rikthejë ata në nivele të larta kompetitive.
Çfarë mund të ndodhë konkretisht me këtë projekt dhe afrimin e biznesmenëve të tjerë?
Është gjë e mirë që tani janë më shumë aksionerë dhe investiorë të fuqishëm. Sigurisht, këta biznesmenë kanë interesin e tyre në mes, sepse askush nuk e bën këtë gjë për hobi. Edhe ata biznesmenë të fuqishëm që investojnë për Mançester Sitin, nuk e bëjnë për hobi. Por duhet të shohim të dyja anët e medaljes dhe Dinamo përfiton shumë nga ky projekt, gjithmonë duke iu referuar asaj pjese që dimë. Përfiton në buxhetin që rritet, por përfiton shumë infrastrukturë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Përfiton shumë tek akademia, që po ashtu për mua ka rëndësi të veçantë, sepse një klub me një akademi të konsoliduar, siç mund ta ketë Dinamo pas këtij bashkëpunimi, ka një prapavijë të fortë për të ardhmen. Ka qëndrueshmëri dhe gradualisht do të fillojë të prodhojë lojtarë të asaj që ne e quajmë shkolla e Dinamos. Unë do ta quaja fat këtë projekt, që Dinamos iu bë dhuratë nga një dinamovit… Dinamo ka kaluar vitet e fundit kohëra që nuk duam t’i kujtojmë, që me përzënien nga kompleksi i saj stërvitor e me radhë.
Sportivisht, si e shikoni të ardhmen e skuadrës blu?
Për këtë pjesë është akoma herët për të folur. Do të shohim çfarë lëvizjesh do të bëhen, por sigurisht që investimi nuk do të mungojë dhe detyrimisht Dinamo do të kthehet të konkurrojë për titullin kampion me Tiranën dhe Partizanin.