Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi u rikthyen edhe një herë protagonistë të përbashkët, duke ndërruar fanellë në të njëjtën verë, si dy prej goditjeve më të mëdha të merkatos. Por ndërsa “Pleshti” e ka bërë debutimin e tij prej 26 minutash me PSG-në, për CR7-ën duhet pritur ende dalja e parë me Mançester Junajtidin, ndonëse portugezi ka ditur se si të parakalojë dhe t’i marrë skenën menjëherë rivalit të tij të përjetshëm.

Në eliminatoren kundër Irlandës, pasi humbi një penallti dhe goditi rivalin O’Shi me shuplakë, fenomeni 36-vjeçar realizoi një dopietë historike në minutat 89 dhe 96, duke u ulur i vetëm në fronin e rekordmenit historik të golave me kombëtaren. Nga e mërkura në mbrëmje, Kristiano Ronaldo me 111 golat e tij është i pakapshëm kundrejt kujtdo tjetër, ndonëse ish-sulmuesi i Juventusit nuk ka ndërmend që të ndalet me kaq.

REKORDI I RADHËS – Madje, stimujt për të vazhduar së kërkuari gola personalë në vazhdimësi në këto eliminatore Botërori vijnë nga Guatemala dhe sërish Irani i largët. Nëse nga 111 golat e tij Ronaldo ka realizuar 33 prej tyre në garën për të kapur grupet e Botërorit, rekordin e mbajnë respektivisht Karlos “Peshku” Ruiz me 39 realizime, por edhe Ali Daei, të cilit CR7 i mori rekordin absolut, numëron 35 realizime.

Prandaj, nëse Ronaldo do të humbë eliminatoren e datës 7 shtator kundër Azerbajxhanit për çështje kartonësh, nga ndeshja e ardhshme ndaj Luksemburgut më 12 tetor, fenomeni iberikas do të kërkojë të rrisë edhe më tej numrat personalë me përfaqësuesen dhe t’i afrohet “Peshkut” Ruiz të Guatemalës dhe iranianit Daei, për golat në eliminatoret e vlefshme për Kupën e Botës.

BLUZË ELIZABETËS – Por ndërsa Ronaldo shkëlqen me kombëtaren, me sa duket, rikthimi i tij në Premier Ligë ka tërhequr edhe vëmendjen e Mbretëreshës së Anglisë. Sipas asaj që shkruante dje “Daily Express”, Elizabeta kishte bërë një kërkesë për të pasur jo pak, por plot 80 bluza të “Djajve të Kuq” me emrin e Kristiano Ronaldos “të qepur” prapa, por në njërën prej tyre kërkonte edhe një autograf me dedikim nga ana e kampionit portugez.

Referimi i “Daily Express” kishte ardhur pas një postimi të bërë në “Twitter” nga “Sport Innovation Society”, e cila pasi e publikoi për disa orë këtë lajm që lidhte Mbretëreshën Elizabetë dhe Kristiano Ronaldon, vendosi që ta fshinte postimin, duke shpjeguar: “Kishim informacion mbi këtë lajm, por teksa nuk kemi marrë konfirmim as nga pallati mbretëror dhe as nga CR7, vendosëm që ta eliminojmë postimin. Kërkojmë falje”.