“Shqiptarët na pritën me stadiumin plot në ndeshjen e parë. Merrni shallin tuaj dhe le ta bëjmë jetën e tyre një ferr të gjallë gjatë gjithë lojës”. Ky është mesazhi i klubit të Universitateas së Kraiovës për tifozët, teksa mbrëmjen e nesërme në orën 19:30, rumunët do të luajnë ndeshjen e kthimit ndaj Vllaznisë, në stadiumin “Ion Oblemenco”.

Prej ditësh, klubi ka nxjerrë në shitje edhe biletat, të cilat mund të blihen në Kraiovë. Sa u përket çmimeve të biletave, më e lira nis nga 3-euro në sektorët anësorë deri në 20-euro, që është më i shtrenjti në tribunën qendrore. Poashtu, ka edhe bileta me çmime 6, 8 dhe 15-euro.

Ndërkohë, pritet që edhe skuadra shkodrane të ketë mbështetje në Rumani. Gjasat janë që afërsisht 100-ultras kuqeblu të jenë të pranishëm në këtë transfertë.

Pikerisht per kete arsye para pak ditësh vetë faqja e Vllaznisë bëri një njoftim, ku apelonte tifozët të kontaktonin në klub, në mënyrë që ky i fundit të rezervojë biletat dhe tifozët të mos kenë probleme në organizim. Në dispozicion të tifozëve të Vllaznisë, do të jetë sektori 18 i stadiumit “Ion Oblemenco”.
Maringlen ZHIVANI