Cristiano Ronaldo është parë duke u stërvitur te Real Madrid, sipas raportimeve të bujshme. Ylli portugez u largua nga Kupa e Botës pas humbjes tronditëse në çerekfinale kundër Marokut.

Ronaldo, 37 vjeç, u largua nga Manchester United para Botërorit, me prishjen e kontratës së tij prej 500,000 £ në javë. Dhe pesë herë fituesi i Topit të Artë duket se është rikthyer te një tjetër ish-klub për t’u mbajtur në formë. Sipas Relevo, Ronaldo është parë duke u stërvitur në qendrën stërvitore Valdebebas të Real Madrid.

Lajmi thotë se ish-ylli i United është duke u stërvitur larg skuadrës së parë të Los Blancos. Thuhet se Reali ishte më se i lumtur për të akomoduar Ronaldon, me marrëdhëniet mes klubit dhe lojtarit që janë ende të forta. Sulmuesit iu dha leja për t’u stërvitur në klubin e tij të vjetër ndërsa ai mendon për lëvizjen e tij të ardhshme në karrierë.

Ronaldo nuk e ka fsheur kurrë dashurinë e tij për Real-in dhe pa dyshim që do të kthehej me kënaqësi. Megjithatë, pavarësisht fjalëve të mira të presidentit Florentino Perez gjatë viteve, besohet se klubi ka mbyllur derën për një rikthim të mundshëm pasi ata nuk duan të prishin skuadrën aktuale të Carlo Ancelotti-t.