Vllaznia është katapultuar prej muajsh në krye dhe tanimë ka një distancë të konsiderueshme. Sigurisht, ndeshje në dispozicion ka ende për kuqeblutë që ta ruajnë këtë distancë, por edhe për ndjekëset që të mund ta rrëzojnë. Ajo që bie fillimisht në sy te skuadra shkodrane, është lëvizja me sulmin. Vllaznia mori që në fillim të sezonit ish-sulmuesin e Tiranës, Ismael Dungën. Një lëvizje e cila rezultoi më se e goditur.
Dunga u aktivizua në 7 ndeshje dhe bëri 4 gola në Superiore. Deri në këtë pikë, është absolutisht një lajm i mirë për kuqeblutë që zgjidhën disa ndeshje në favor me golat e sulmuesit. Por, largimi i tij drejt vendlindjes për plotësimin e dokumentacionit u shoqërua edhe me largimin final.
Nëse deri më tani kemi parë gabime trashanike nga klubet shqiptare që të lejojnë largimin e futbollistëve të tyre cilësorë me parametra zero, kuqeblutë e përmirësuan këtë fakt. Vllaznia e shiti kartonin e Dungës te klubi japonez, Sagan Tosu. Klubi shkodran ka përfituar 100 milionë lekë të vjetër nga ky transferim.
“SHKODRA NË SULM”
E nëse të gjithë kanë Vllazninë si skuadrën për ta mundur, për vetë faktin se po kryeson me meritë, edhe vetë kuqeblutë kanë bërë një lëvizje për t’iu kundërpërgjigjur pjesës tjetër të Superiores. Deri më tani, Vllaznia ka zyrtarizuar shtatë afrime.
Abdurrahman Fangaj, Albion Avdijaj, Angjelo Radovani, Tim Brdariç, Elom Kodjo NyaVedji, Millosh Kaleziç dhe Salim Cise janë emrat e shtuar në organikën e Brdariçit, me shpresën se elementet e rinj do të jenë vlerë e shtuar, konkurrencë në rritje në skuadër si dhe lojtarë të vlefshëm që kuqeblutë ta ruajnë këtë ritëm kryesuesi edhe në fazat më të rëndësishme të kampionatit.
Deri më tani, është vënë re një fakt shumë interesant te kuqeblutë. Pavarësisht çdo mungese nga ndeshja në ndeshje, ekipi dhe organika ia kanë dalë që të jenë të bashkuar dhe me karakteristikat e lojës të injektuara nga Brdariçi, të mos e ndiejnë mungesën e askujt dhe në fushë, rezultatet pozitive të jenë radhazi.
LARGIMET
Pavarësisht të gjithë kësaj situate, vlen të përmendet që nga Vllaznia janë larguar edhe dy lojtarë jo pak të rëndësishëm. Nga kuqeblutë, në merkaton në dalje janë emra si Behar Ramadani dhe Kristofer Mandiangu. Këta dy emra, bashkë me Dungën, plotësuar me Enes Isufin, Elmir Lokajn dhe Eugen Sidorenkon përbëjnë të gjithë listën e të larguarve nga Vllaznia.