Sunday, January 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREÇUDIRA SHQIPTARE/ 10 trajnerë të shkarkuar në 17 javë kampionat në kategorinë...

ÇUDIRA SHQIPTARE/ 10 trajnerë të shkarkuar në 17 javë kampionat në kategorinë e parë!!!

Sezoni 2025-2026 në Kategorinë e Parë po rezulton “minë me sahat” sa i përket trajnerëve të skuadrave. “Valsi” i pankinave nuk ka të ndalur në këtë edicion. Në këtë mënyrë, numri i trajnerëve që kanë humbur punën në 17 javë kampionat në Kategorinë e Parë shkon në 10- të.

Mesatarja e ndryshimeve të pankinave është një trajner për 1.7 javë. Pas 17 javësh, kemi 10 ndryshime pankinash në kampionatin e Kategorisë së Parë, pa llogaritur këtu largimin e trajnerit Rui Amorim te Laçi, i cili zhvilloi fazën përgatitore dhe u largua pak ditë para startit të sezonit. Besa ka vendosur për trajnerin e tretë sezonal, Gugash Magani. Ndërsa Kukësi, prej javësh me staf kujdestar, si dhe Lushnja do ta nisin 2026-ën me trajnerin e tretë sezonal.

I pari që e pësoi ishte Emiljano Çela, që la drejtimin e Besës pas javës së dytë. Në mbyllje të javës së katërt u dorëzua edhe trajneri i Lushnjës, Erion Xhafa, i cili hapi krahun pas katër barazimeve radhazi. Në përfundim të javës së gjashtë u larguan edhe dy trajnerë të tjerë, Ardian Mema u dorëhoq nga drejtimi i Pogradecit, ndërsa Sedat Pajaziti u shkarkua nga Kukësi, pas humbjes 3-0 në Korçë. Pas javës së nëntë erdhi edhe “fluturimi” i pankinës së pestë, ku italiani Stefano Senigagliesi la stafetën e drejtimit te Laçi. Pas mbylljes së javës së 11-të ka “fluturuar” edhe pankina e Luftëtarit, ku pas humbjes 3-1 me Kastriotin, trajneri Besmir Shabani doli jashtë planeve të gjirokastritëve, të cilët kanë shkarkuar gjithë “kullën” drejtuese.

Pas përfundimit të javës së 12- të erdhi dorëheqja e trajnerit Bledar Devolli nga drejtimi i Kukësit, i cili më pas u rikthye në vendlindje duke marrë drejtimin e Luftëtarit. Në përfundim të javës së 14-të të kampionatit bie “dëshmori” i radhës në Kategorinë e Parë. Pas humbjes me Apoloninë, 2-0 në Fier, trajneri Shpëtim Duro dha dorëheqjen nga Besa dhe vendin e tij e zuri Gugash Magani, që kthehet për herë të katërt në pankinën verdhezi.

Në përfundim të javës së 17-të, që përkon edhe me mbylljen e pjesës së parë të sezonit, kemi edhe dy trajnerë të tjerë të larguar. Avetura e Ditmar Bicajt te Lushnja zgjati vetëm 12 ndeshje dhe tani verdhejeshilët po punojnë ëpr gjetjen e zëvendësuesit të tij. Iliria është klubi i fundit që ka larguar trajnerin. Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Dritan Smajlin, fushëkrujasit do ta nisin 2026-ën me trajner të ri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments