Futbolli shqiptar shpesh dhuron çudira nga më të ndryshmet për shkak të mangësisë së njohurive që kanë klubet për rregulloret e kësaj loje. Dhe të fundit e kanë prodhuar një pretendent për titullin në Superiore si Elbasani, si dhe një pretendent për titullin në Kategorinë e Parë si Skënderbeu.
Të dy klubet në fjalë, që në fillimin e janarit gjetën akordin mes tyre, duke finalizuar transferimin në formë huazimi të talentit shkodran, Antonio Delaj, nga Elbasani te Skënderbeu. Delaj nuk po gjente hapësira te Elbasani ku kishte pasur një rol episodik dhe në teori, do të kishte të tilla një kategori më poshtë te Skënderbeu, i cili ka nevojë për futbollistë në lojën në krahë.
Kështu dy klubet bënë “zyrtare” me njoftime në rrjetet sociale transferimin dhe Delaj nisi stërvitjen me skuadrën e Skënderbeut, duke u bërë gati për debutimin e tij në muajin janar me klubin e ri.
Por siç përmendëm më parë, gjithçka ishte në teori, pasi në praktikë, Delaj nuk mund të luajë me korçarët pasi nuk ia lejojnë rregulloret e FIFA-s. Kjo e fundit ka të sqaruar specifikisht se një lojtar mund të regjistrohet në tre klube të ndryshme nga data 1 korrik, deri më datën 30 qershor të vitit pasardhës, por lejohet të luajë ndeshje zyrtare vetëm me 2 të tillë. Dhe me sa duket te Elbasani e Skënderbeu kishin harruar se Delaj, para se të shkonte te verdheblutë, kishte bërë disa minuta gjatë kësaj vere me Vllazninë në Ligën e Konferencës. Kësisoj, meqë ai kishte luajtur si më shkodranët, ashtu edhe me verdheblutë në kampionat, e ka të pamundur që gjatë këtij viti të luajë me një klub tjetër profesionist.
Ndaj edhe transferimi mund të cilësohet i dështuar me sukses dhe Delaj duhet të bëjë prapakthehu te Elbasani, ku është i detyruar të vazhdojë sezonin në pritje të ndonjë minute në fushë të siguruar nga Gvozdenoviç i cili nuk e llogarit në planet e ekipit të tij.


