“Humbja e Tiranës përballë Kastriotit, mungesë motivimi”. Kështu mendon Shkëlqim Muça, i përhershmi i emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i cili ka analizuar gjithçka që ka ndodhur në javën e 30-të të “Abissnet Superiore”.

Barazimi në stadiumin e ri – “Kukësi-Laçi ishte një ndeshje shumë e bukur si dekor. Në fushë pati luftë, dëshirë nga të dyja skuadrat. Laçi mu duk më i kontrolluar, më i organizuar, më i rrezikshëm. Kukësi u mundua të bëjë diçka në fillim dhe në fund. Në aspektin sulmues verilindorët kanë mangësi, ndërsa kurbinasit kanë më shumë cilësi. Gjithsesi, ndeshje të tilla të shpresojmë sa më shumë. Te Kukësi edhe mesfushorët nuk janë me tipare ofensive, ndërsa mesfushorët e Laçit në aspektin sulmues i gjen gjithmonë aty”.

Vllaznia dhe Partizani – “Ishte një ndeshje ku të dyja duhet të luanin për fitore. Me atë që pamë në fushë, të dyja skuadrat luajtën me kujdes, në aspektin sulmues nuk kishte befasi, nuk kishte shumë pjesëmarrje. Prisja që të sulmonin më shumë, por ishin shumë të rezervuara dhe rezultati iu përgjigj asaj që skuadrat treguan në fushën e lojës”.

Fitorja e rrogozhinasve – “Kartoni i kuq ndikoi në lojë, por dua të them se Egnatian e shikoja shumë të qetë. Skënderbeu kishte më shumë presion. Po të shikosh, rrogozhinasit sulmin e kanë cilësor, në çdo moment arrinin të krijonin rrezik. Korçarët ishin të nervozuar. Mendoj se Egnatia e kishte përgatitur më mirë këtë ndeshje, për të mos rënë në atë nervozizëm që ra Skënderbeu dhe kjo i dha edhe fitoren”.

Mungesa e motivimit tek Tirana – “Në gjashtë ndeshjet e fundit bie motivimi i skuadrave që kanë dalë nga objektivat, për mua Tirana është kampione. Ishte një hap i gabuar, nuk mendoj se mund të ketë toleruar. Nuk do jetë çudi që edhe në vazhdim të shikojmë rezultate të tilla. Është shumë e vështirë të motivosh një skuadër që ka fituar titullin. Tirana dhe Skënderbeu nuk kanë objektiva, të tjerat luftojnë për diçka”.

Fitorja e Teutës me Dinamon – “Një ndeshje shumë e vakët në aspektin teknik nga të dyja skuadrat. Dinamo, e shpërfytyruar në aspektin teknik, një skuadër spontane, jo se luan në bazë të një strategjie që ka trajneri. Edhe brenda lojës ka shumë oshilacione. Mendoj se duhet të fillojë një cikël tjetër. Teuta ka si objektiv të dalë nga ajo zonë, por është shumë e vështirë, pasi shtohet presioni. Varet dhe nga kalendari që ka”.