Është vënë në pranga trajneri i Butrintit Neritan Novi. Trajneri i sarandiotëve akuzohet se ka dhunuar lojtarin e ekipit të tij Albi Selimaj gjatë ndeshjes së djeshme të luajtur mes Butrintit dhe Memaliajt.
Lojtari 22-vjeçar më pas është transportuar në spital për të marrë ndihmën e parë. Ndërsa në një prononcim të dhënë për vetë Novi është shprehur se ka qenë ai i dhunuari. Tekniku gjirokastrit është shprehur se Albi Selimaj dhe vëllai i tij kanë qenë agresorët.
Teksa në njoftimin e sotëm të policisë thuhet se Neritan Novi është arrestuar,së bashku me përgatitësin atletik të ekipit të Butrintit Dhiogjen Muço. Dy trajnerët janë arrestuar pasi kanë goditur me grushte lojtarin Albi Selimaj,thuhej ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Njoftimi i Policisë:
“Goditën me grushte,futbollistin e ekipit,gjatë ndeshjes së futbollit,vihen në pranga 2 trajnerët e këtij ekipi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë,pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte,gjatë një ndeshjeje,menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Albi Selimaj 21 vjeç(futbollist) ishte goditur me grushte,gjatë një ndeshje futbolli,nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë.
Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës nën kujdesin e mjekëve. Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve Neritan Novi 52 vjeç(trajner i parë) dhe Dhiogjen Muço 45 vjeç(përgatitës altletik) për veprën penale “Goditja e sportistit,trajnerit,arbitrit ose ndërmjetësit sportiv” kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.”