Trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, është shprehur se Vllaznia i ka mundësitë të jetë në garë për titull së bashku me Tiranën dhe Partizanin. Gjithashtu, në intervistën e dhënë për emisionin “Sport News”, në “News24”, ai komentoi dhe situata te dy klubet e kryeqytetit.


A i trazoi derbi kartat në garën për titull, por edhe për fatin e sezonit të Partizanit?

Në një farë mënyre i trazoi, sepse dhe Tirana prej disa javësh ishte e shkëputur nga ekipet e tjera, sikurse dhe Partizani kishte rënie në lojën e saj dhe në rezultatet. Kemi theksuar më përpara që pas largimit të dy lojtarëve kryesor të saj, Skukën edhe Bitrin. Pra kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për Partizanin, sa i përket luftës për titull, ngjeshjes së ekipeve në kreun e tabelës, por edhe në aspektin moral të ekipit.

Siç e thashë dhe më përpara kishte vështirësi në lojën e saj dhe rezultatet nuk ishin ato që klubi priste prej Partizanit. Tani e bëri garën më interesante besoj dhe në fund të fundit pothuajse të gjitha ekipet janë aty. Në këndvështrimin tim të them të drejtën nuk është as një ekip që mund ta shoh komod në kuptimin e qetësisë apo distancës me ndjekësit.


Pësoi një humbje të rëndë me Vllazninë dhe pak ditë më vonë dominoi Tiranën në derbi. Kush është Partizani i vërtetë?

Pyetja është shumë e bukur, por edhe e vështirë për t’i kthyer përgjigje. Nuk mund të them kush janë ekipet e vërteta të Superiores. Tani ka filluar Tirana të futet në këtë vorbull. Nëse kemi folur për një Tiranë të stabilizuar në lojën dhe rezultatet e saj, tani po tregon oshilacione shumë të mëdha, në lënien e pikëve, në rezultatet jo të këndshme, gjë që po i jep dhe ndjekësve të saj rastin për t’u afruar, apo siç është edhe rasti konkret i Partizanit. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Partizanin. Është e vështirë për të thënë kush është Partizani i vërtet.

Është një ekip që pati shumë destabilizim sa i përket pikëve dhe rezultatit. Por kjo ndeshje derbi siç thash ndryshoi ndoshta shumë gjëra. Mbi të gjitha mund t’i ketë ndryshuar në aspektin psikologjik, në të cilën ekipi mund ta ketë pasur të nevojshme. Gjithsesi duhet parë në ndeshjen me Vllazninë. Megjithatë dhe Vllaznia ka pasur oshilacione. Është e çuditshme, sepse Vllaznia është një nga ekipet më me emra në futbollin shqiptar, tregohet superiore si në lojë dhe në rezultatet, por…


A do të jetë ndeshja me Partizanin shansi i fundit i Vllaznisë?

Nuk mendoj se është shansi i fundit i Vllaznisë. Jemi akoma herët për të folur. Ndryshimi vetëm në tabelë, mund t’i shkëpusim Tiranën dhe Partizanin që janë me 40 pikë. Ekipet e tjera janë me 37, deri te ekipi i vendit të tetë që është Laçi, që ka diferencë prej 7 pikëve, që do të thotë pak a shumë dy ndeshje. Kemi parë shumë në kampionat spostime të tilla ekipesh. Ekipet e fundit në tabelë që luajnë për vend të katërt të pestë, ose anasjelltas. Kështu që besoj se është shumë herët për të folur. Do kemi shumë lëvizje të tilla deri në fund të këtij kampionati. E rëndësishme është që të shikojmë lojën e bukur. Ne si tifoza dëshira është e madhe për të parë ndeshje të mira dhe ndeshje reale. Le të fitojë më i miri.

Balaj nuk po gjen dot golin në Superiore. A ndikon kjo situatë në dhomat e zhveshjes. Mund të kthehet në problem?

Jo nuk mendoj. E njoh shumë mirë Bekimin (Balajn). E njoh që 16-vjeç kur unë kam qenë pjesë e stafit të Vllaznisë, i cili u përzgjodh dhe erdhi në ekipin e parë. Vazhdojmë të kemi pasur kontakte jo shumë të shpeshta, pasi dhe karriera e tij ka qenë jashtë Shqipërisë. Është një djalë model. Një djalë që nuk ka krijuar kurrë probleme. Një djalë që i kupton situatat natyrshëm. Besoj se nervozizmin e ka me veten dhe me askënd tjetër, për shkak të mosçlirimit nëse mund ta quaj kështu. Mendoj se Balaj e ka të nevojshëm zhbllokimin, qoftë edhe me një penallti. Nuk e mendoj kurrë se do të jetë personi që krijon probleme në ekip, ose në dhomat e zhveshjes. Këtë e përjashtoj kategorikisht me shumë bindje. Është një profesionist i vërtet, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.


A ndikon Kupa te sezoni i Vllaznisë, apo ndoshta edhe te kampionati? A mjafton vetëm Kupa edhe këtë sezon?

Dëshira është shumë e madhe në qytetin e Shkodrës që për të sjellë një kampionat pas shumë e shumë vitesh, që i ka munguar Vllaznisë. Por megjithatë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që dhe Kupa është një objektiv. Çdo ekip ka objektivat minimal, parësore dhe dytësore. E rëndësishme është që klubi mos të dale nga objektivat. Nëse mund ta theksoj kështu, minimale do të thotë pjesëmarrja në Kupat e Europës në mendimin tim. Pjesëmarrja në Kupat e Europës mund të dilet kampion, mund të dilet në vendin e dytë dhe të tretë, mund të dalë dhe vendi i katërt si fitues i Kupës, ose kombinim i fituesit të Kupës, mund të dalësh edhe si fitues Kupe.

Pra për këtë arsye edhe Kupa ka një rëndësi të madhe për të ecur përpara dhe për të garantuar pjesëmarrjen. Në momentin që garanton pjesëmarrjen patjetër që mund të bësh edhe më tepër. Gjithsesi unë e shikoj Vllazninë si një ekip që mund të jetë fituesi i kampionatit, i ka të gjitha mundësitë. Thashë e ka dëshmuar kundër ekipeve të mira, ka bërë lojëra të mira. Çudia më e madhe është me të ashtuquajtura ekipet e vogla që ka lënë pikë si në Shkodër ashtu edhe jashtë. Ky është ndoshta dhe defekti që kjo Vllazni ka shfaqur sivjet.


4 ndeshje në 6 ndeshjet e fundit për Tiranën. Janë shumë për një ekip dhe a mund të ringrihet më Tirana?

Shumë janë për një ekip të them të drejtën. Aq më tepër me ekipe të cilat, përjashto Partizanin sepse është një emër i natyrshëm, që nuk është ndonjë tragjedi e madhe për të lënë pikë me këto ekipe. Por për të lënë pikë me ekipe që ishin në fundin e tabelës, nuk i bën mirë Tiranës, në kuptimin e mirë të fjalës, edhe në aspektin e pikëve, por edhe të objektivave që ka klubi. Në fakt ishte shumë afër objektivave. Udhëhiqte prej javësh kampionatin. Më është bërë kjo pyetje dhe herë të tjera. Për Tiranën kam qenë personi i cili kam theksuar që Tirana ka një farë diference me ekipet e tjera. Ka një staf tjetër, luan futboll të mirë, kishte shumë alternativa në gjirin e saj. Ishte një ekip i kompletuar. Por me largimin e Seferit, edhe me të Xhixhës dhe Ismajlgecit, sikur ka humbur pak forca goditëse e Tiranës.

Nuk po arrin të shënojë natyrshëm, që shfaq probleme edhe mbrapa. Shoh që kanë probleme në qendrën e mbrojtjes. Nuk janë më ata lojtarët shumë të rëndësishëm, apo stafi me lojën e saj që i jepte një farë garancie lojës së Tiranës. Si Najdovski ashtu edhe Behiratçe po shfaqin probleme te Tirana. Thashë dhe më përpara kur më pyetët për Balajn, krijohet një farë nervozizmi, qoftë te një individ, qoftë te një ekip në një repart të caktuar. Futbolli është krijuar për të shënuar. Nëse nuk shënon padyshim do të ketë probleme edhe mbrapa. Pra ky është problemi i Tiranës për momentin. Është emër i madh i futbollit. Ka kualitete në ekipin e vetë dhe unë mendoj se është një ekip i cili mund të dalë nga kjo gjendje që ndodhet. Ndoshta ka qenë momenti më i keq i Tiranës që e ka kapur kjo situatë. E rëndësishme është që Tirana t’i rregulloj këtë probleme sa më herët të jetë e mundur, ndryshe mund të jetë e pafalshme për Tiranën.


Një parashikim se si do të dalë Vllaznia-Partizani të shtunën?

Parashikime nuk kam bërë kurrë në jetën time. As baste nuk kam luajtur sepse nuk di të luaj, nuk më pëlqen të luaj. Nëse do t’i dija parashikimet mund edhe t’i kisha bërë të fitoja ndonjë lekë, por s’di edhe nuk më ka pëlqyer kurrë (Qesh). Kështu që nuk mund të bëj parashikime, nuk më pëlqen të bëj, por më pëlqen të them që do të jem shumë i kënaqur për të parë një ndeshje shumë të mirë, të bukur, të luftuar dhe natyrshëm që Vllaznia të jetë triumfuese. Si shkodran edhe si pjesë e Vllaznisë nuk mund të them asgjë ndryshe veçse të bëj tifo për ekipin e Vllaznisë. Shanset janë shumë të mëdha që Vllaznia të jetë triumfuese, por le t’ia lëmë fushës.