Kanë nisur ndeshjet eliminatore në grupe për Europianin 2022-shit për ekipet U-19. Sikurse dihet, në vendin tonë luhen ndeshjet e grupit të 7-të. Kuqezinjtë 19-vjeçarë u mundën 4-0 ndaj bashkëmoshatarëve të tyre të Francës, në ndeshjen që u zhvillua në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës. Ndërkohë, në “Elbasan Arena” ekipi U-19 i Serbisë fitoi 2-1 ndaj ekipit U-19 të Maqedonisë së Veriut.

Pas ndeshjes, trajneri Armando Cungu i ekipit U-19 të Shqipërisë, duke mos e fshehur keqardhjen për humbjen, për “Supersport” deklaroi: “Futbolli luhet për rezultat, bëmë gabime. I kënaqur për lojën që bëmë sidomos deri para pësimit të golit. Shënuam edhe me një aksion model pavarësisht se u anulua.

Luanim kundër një superfuqie dhe ata kanë luajtur edhe me Meksikën e Anglinë dhe i kanë mundur, ky është niveli i Francës. Gabimet na ndëshkuan. Në pjesën e dytë u munduam të ndryshonim diçka. Dy ditë nuk janë të mjaftueshme, por i tillë është turneu.

Do të mundohemi të mos bëjmë gabime si sot për ndeshjen e radhës ndaj Serbisë. Për kundërshtarin (Serbinë) kemi informacion, do të bëjmë maksimumin, por do të na duhet edhe rezultati dhe jo të kënaqemi me një pjesë lojë, apo me episode. Në nivele të tilla nuk të falin, ne vuajmë për të shfrytëzuar mundësitë”,- u shpreh Cungu.

Në ndeshjen e radhës, të shtunën, më 13 nëntor, ekipi i të rinjve të Shqipërisë do të përballet me ekipin përfaqësues të Serbisë, ndërsa Franca do të ndeshjet në të njejtën ditë me ekipin e U-19 të Maqedonisë së Veriut.