Prej disa javësh është tashmë pushim që pas largimit nga Laçi dhe po e shijon futbollin nga larg. Armando Cungu është mëse i kënaqur për ecurinë që ka patur ish- skuadra e tij, Vllaznia dhe në një analizë të bërë për “Shkodra Sport” deklaron se skuadra e sivjetme ka ndryshuar tërësisht, ndërkohë që blerjen më të mirë të saj ka konsideruar sponsorin Xhaferi.
“Tek Vllaznia e sivjetme kanë ndryshuar shumë gjëra. Më kryesorja, tashmë ajo ka një njeri mbi kokë, ka një njeri që i del për Zot ekipit, i rri afër në çdo moment dhe nuk janë më problematikat që kanë qenë prezent gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Kjo është gjëja kryesore dhe baza e këtij ndryshimi.
E kam thënë edhe më parë, blerja më e mirë e kësaj Vllaznie të sivjetme është Alban Xhaferi dhe vazhdoj t’i qëndroj kësaj bindje. Ajo e ka patur të nevojshme të ketë një njeri në krye të saj.
Me këtë që po them, absolutisht që nuk dua t’i heq meritat trajnerit i cili punon shumë dhe është profesionist. Ai di çfarë kërkon prej ekipit, din të marrë maksimumin prej lojtarëve dhe po ashtu shoh se është një person që di të krijojë një atmosferë shumë pozitive në skuadër.
Krijimi i atmosferës dhe harmonisë pozitive është shumë e rëndësishme në një skuadër futbolli. Përpos trajnerit, dua t’i jap vlerat e veta edhe njerëzve që janë marrë me merkaton, e që mund të jetë drejtori i klubit, Matko Djarmati. Mendoj se klubi në pika të caktuara, ka blerë lojtarët e duhur. Jo me shumë emra, jo me shumë pompozitet, jo me bujë të madhe, por ka krijuar një ansambël shumë interesant”- ka thënë Armando Cungu.
Ndërkohë duke folur në lidhje me atë se çfarë mund të arrijë Vllaznia këtë sezon, ish-futbollisti dhe trajneri i kësaj skuadre është shprehur: “Për atë se çfarë ka dhënë deri më tani, janë rezultatet dhe pozicioni që ajo ka në renditje, të cilat nuk lënë shteg për të menduar ndryshe, por vetëm për t’i dhënë meritat e duhura asaj.
Vllaznia po ecën me një ritëm kampioni, nëse marrim parasysh edhe skuadrat pretendente të sezoneve të mëparshme. Nëse një skuadër merr për një fazë 19 pikë, je me hapat dhe me ritmet e një ekipi që është për kampion. Ndërsa ekipe si Laçi me 11 pikë apo ndonjë tjetër me 13 pikë, renditesh tek ato që rrezikojnë për të rënë nga kategoria.
Nëse ka bërë mirë në këtë fazë Vllaznia, ajo duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të mos fluturojë siç ndodh shpeshherë me ne shkodranët. Duhet të kërkojë maksimumin ndeshje për ndeshje duke nisur nga kjo e rradhës në Fier. Apolonia nuk ka asgjë për të humbur, ka në përbërje lojtarë të rinj që duan të bien në sy dhe prandaj duhet bërë shumë kujdes edhe ndaj saj”
/SHKODRA-SPORT.COM/