Kukësi u mund në Antalia në miqësoren e parë për vitin 2019 me rezultatin 2-1 nga Bashakshehiri. Në fakt, mund të konsiderohet një rezultat i mirë për Kukësin deri diku, duke qenë se Bashakshehiri kryeson kampionatin turk dhe në përbërje ka lojtarë si Robinjo apo Arda Turan.

Edhe vetë tekniku i verilindorëve, Armando Cungu e ka pranuar këtë gjë pas ndeshjes, duke u shprehur se ndihet i kënaqur me lojën që skuadra e tij ka zhvilluar dhe se ajo ndeshje, i jep shpresa për kampionatin.

“Të them të drejtën jam i kënaqur me lojën e djemve duke pasur parasysh që është një ekip i vendit të parë me diferencë dhe yje botëror. Nuk ishte e lehtë, por luajtëm me dinjitet dhe jam i kënaqur si në aspektin fizik e atë taktik.

Si prezencë e parë jam i kënaqur por duhet të punojmë akoma shumë fort dhe t’i japim mundësinë për të zbritur në fushë çdo sportisti. Jam i kënaqur nga të gjithë dhe kjo më gëzon e më kënaq dhe me jep premisa e shpresa për të qenë i gatshëm për kampionatin”, u shpreh Cungu. /VipSport/