Kukësi është rikthyer! Skuadra verilindore ka grumbulluar 9 pikë në 3 ndeshjet e fundit duke kapur vendin e dytë, pasi barazoi Skënderbeun me pikë të barabarta. Trajneri Armando Cungu ka kaluar disa sfida mjaft delikate, pasi fitoi jashtë fushe me Kamzën me rezultatin 0-2, Luftëtarin 0-1 dhe mposhti korçarët në një sfidë pretendentësh 1-0. Verilindorët kanë arritur disa suksese të rëndësishme.

Takimi i radhës kundër Partizanit është mjaft i rëndësishëm, do të luajnë kundër “demave” për kreun e renditjes. Kryeqytetasit janë 5 pikë përpara në vendin e parë dhe verilindorët synojnë ta ngushtojnë diferencën në 2 pikë, në rast se Partizani shkëputet në 8 pikë do të ishte e tepërt për Kukësin që synon titullin kampion dhe këtë sezon.

Presidenti Safet Gjici u ka besuar drejtorit sportiv Nderim Nexhipi dhe zyrtarit Ramadan Ndreu merkaton e skuadrës dhe pret përforcime në janar. Trajneri Cungu është i qartë në kërkesat e tij. Numri një i stolit ka kërkuar 1 apo dy sulmues të tjerë që mund të bëjnë diferencë.

Lojtarë që rrisin konkurrencën në skuadër, por dhe që “ndëshkojnë” Reginaldon në rast se do të ketë sjellje të papërshtatshme dhe të patolerushem nga afrikani./telesport/