Opinion nga Gjergj Stefa

Nëse nuk do kish bërë gabimin që ditën e ndeshjes Kukësi-Flora të dilte dhe të anonçonte zyrtarisht tratativën me Vllazninë, sot për Armando Cungun askush nuk do të fliste për një rikthim të mundshëm në qytetin e lindjes, por elozhet do të ishin “lumë” për mënyrën se si ka menaxhuar stolin e Kukësit dhe se si brenda një sezoni arriti të fitonte stolin e tij dhe një kualifikimin në Europë. Meqenëse është i ri dhe meqenëse një i ri pa gabime nuk do ish i kompletuar, afërmendsh që dalja publike në ditën historike të Kukësit edhe mund të falet. Përtej tratativës, njeriu që drejton sot për sot skuadrën e momentit në Shqipëri ka karakteristika të ngjashme me ato të një trajneri dhe një njeriu që duhet komplimentuar. Nëse do të zbulosh personalitetin e një tekniku (aftësitë janë përgjithësisht miks i punës së klubit dhe rezultateve teknike) mjafton të konsumosh një makiato të shpejtë me një grup futbollistësh që ai drjeton. Nuk do të dëgjoni kurrë fjalë të mira në unison nga të përkëdhelurit që mendojnë se për çdo gjë e ka fajin trajnerin. Jo për Cungun. Superkorrekt, punëtor, i devotshëm dhe serioz. I hapur për të mësuar dhe në asnjë moment “menaxher” lojtarësh. Asnjë diferencim në sjellje dhe disiplinë. I ri, i veshur mirë, karizmatik në dalje publike dhe i gjindshëm për mediat. A nuk është ky modeli i trajnerit të ri që ne duam?

Cungu, duhet të jetë dhe një menaxher i mirë i situatave. Duhet kuptuar që të punosh nën “hijen” e një presidenti si Gjici (nuk pajtohet as me kualifikimin në Europë, por do gjithnjë më shumë dhe e shpreh hapur kërkesën e tij) dhe që të drejton teknikisht nën hijen e Starovës, që gjithsesi ka një “hije mbytëse” për opinionin, nuk është e lehtë. Përkundrazi është një presion i vazhdueshëm. E dini pse? Sepse në të tilla pozita kur skuadra ka sukses ai është një sukses i prodhuar nga klubi që menaxhohet nga Gjici dhe nga aftësitë teknike të Starovës. Por kur skuadra humbet, ai është gjithnjë aty, i vetëm, për të marrë “faturën”. Këtë presion e ka vuajtur gjatë gjithë vitit, dhe pavarësisht se i ka falënderuar ata që i kanë besuar pankinën nga java e parë deri te e fundit (kush e bën?) ka dashur në çdo moment të shfaqë personalitetin e tij. Nuk është bezdisur nga mungesa e elozheve, por ka vijuar punën, me seriozitet dhe ndershmëri, me dëshirë për të mësuar e për t’u afirmuar.

Futbolli si çdo prfesion është e rëndësishme që të jesh në momentin e duhur në vendin e duhur. Me pak fat brenda dhe me një klub të rëndësishëm, shanset për të qenë në karrierë e sipër janë më të mëdha. Por e rëndësishme është që Cungu nuk u ka vënë “shkelmin” shanseve. Është mirënjohës, por gjithashtu serioz, i bindur se edhe ai vetë mund të jetë pjesë e një personaliteti në një klub me kaq shumë personalitete që pushtojnë ekranet e TV.

Duke abstroguar nga gabimi që në ditën më të rëndësishme anonçoi një tjetër tratativë e duke abstroguar nga Josa që është tanimë i afirmuar, a nuk ishte Cungu trajneri i sezonit? Patjetër që po, sidomos në një sezon kur të rinj të tjerë si Dede e Gjoka nuk denjuan të jepnin dorëheqjen dhe kur pësuan 6 gola në një ndeshje të vetme! Në një prej rasteve kundërshtar ishte pikërisht Cungu!

Thonë që kush është njeri i mirë dhe kush punon ndonjëherë edhe gabon! E rëndësishme është të vazhdojë të jetë në formë të enjten në stol. Atje ku për meritë të Kukësit dhe “pak” edhe të tij vazhdojmë të ëndërrojmë të kemi këtë verë një skuadër në turin e tretë!