Ousmane Dembele ka ngecur te Barcelona, që me shumë mundësi nuk do ta aktivizojë më deri në fund të sezonit. Sulmuesi nuk pranoi të rinovonte, sikurse nuk ishte dakord që të kalonte në ndonjë klub tjetër pavarësisht ofertave.

Kontrata i përfundon në qershor dhe më pas del lojtar i lirë. Presidenti Joan Laporta ka folur për atë që ka ndodhur me Dembele.

“I kemi ofruar rinovimin me një ofertë shumë të mirë. Më vonë doli që ishte çështje ekonomike, se donte më shumë. Ne i thamë që donim të rinovonte, por agjenti nuk na sqaroi asgjë. Ne kemi bërë më të mirën”.

“Ofertat nga klube të tjera? I bëmë dy propozime dhe ishin të mira. Jemi shumë të habitur që nuk pranoi. I fundit ishte nga një klub anglez dhe ai nuk donte, preferoi të qëndronte këtu për gjashtë muaj. Nuk është mirë as për të, as për klubin”, tha Laporta.