Kukësi do të luajë në mesjavë një takim shumë të rëndësishëm, duke qenë se përballë do të ketë Karabakun e Ansi Agollit.
Ndeshja e parë e luajtur në Shkodër, përfundoi me rezultatin 0-0, ndërkohë që në Baku, Kukësi do të tentojë surprizën për të kaluar në turin e tretë të Ligës së Kampionëve.
Në një prononcim për “Supersport”, trajneri i verilindorëve Armando Cungu është shprehur se ka besim dhe shpresë te një rezultat pozitiv. Ai pranon se Kukësi përgatitet edhe për penallti, ndërkohë që presionin e kalon te kundërshtarët.
“Ndeshja e kthimit? Për aq kohë sa rezultati është 0-0 të jep shpresë për kualifikim. E rëndësishme është që ekipi të luajë me dëshirën dhe karakterin e ndeshjes së parë. Tani pse jo mos ta provojmë. Lojtarët nuk i dhanë mundësi këtij kundërshtari të na godiste.
Përgatitje për penallti? Vetë rezultati të jep mundësinë dhe na kërkon të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të nervozohemi në momentin e finalizimit. Patjetër që po përgatitemi për çdo gjë pasi presioni është te kundërshtarët.
Ardhja e Rexhinaldos është një vlerë më tepër dhe një ndihmë më tepër për Kukësin, në Europë dhe në kampionat. Besoj që do të jenë të gjithë gati”, u shpreh Cungu. /Vipsport/