Tirana-Teuta ishte vetëm “antipasta” e javës së dytë të Kategorisë Superiore, pasi sot do të vihen në skenë 4 ndeshjet e tjera të këtij raundi që janë shumë interesante për t’u ndjekur. Në orën 16:00 do të luhen 3 sfidë. Në Gjirokastër kampionët në fuqi të Partizanit do të kërkojnë pikët e para të këtij sezoni.

Të kuqtë kanë 22 vite që nuk fitojnë ndaj Luftëtarit në transfertë por sot mundësia ideale për të marrë tre pikët duke parë edhe gjëndjen e bluzinjëve. Një sfidë për të mos u humbur është edhe ajo mes Laçit dhe Skënderbeut.

Kurbinasit në shtëpinë e tyre kanë marrë pothuajse gjithmonë rezultat ndaj Skënderbeut dhe të njëjtën gjë do të kërkojnë të bëjnë dhe sot për më tepër që Laçi vjen në këtë sfidë pas humbjes ndaj Vllaznisë në javën e parë dhe në këtë sezon ka objektiva madhorë.

Bylis-Vllaznia sfida mes dy skuadrave që diskutuan titullin e Kategorisë së Parë sezonin e kaluar do të zhvillohet në elitë këtë sezon dhe skenarët ndryshojnë. Ballshiotët luajnë vetëm për fitore sot në Adush Muça ndërsa shkodranët do t’i kënaqte edhe një barazim.

Në mbrëmje në orën 19:00, Flamurtari pret në Vlorë Kukësin. Verilindorët që vinë pas suksesit ndaj Partizanit janë dukshëm të avantazhuar për të marrë tre pikët përballë një skuadre që ende nuk është strukturuar siç duhet dhe është një kantier i hapur ndërtimi. Të 4-ta takimet e mbetura të javës së dytë do të keni mundësi t’i ndiqni live në ekranin e Supersport.