Nesër mbërrin në Shqipëri por nga e hëna pritet të nisë punën në krye të ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë.

Neven Plantak ka një karrierë shumë të pasur si trajner. Ai ka punuar kohët e fundit në vendin e tij duke drejtuar ekipin Alkara ndërsa para tij atë të Zadarit.

Ka ndodhur kështu pasi dha dorëheqjen dy vjet më parë nga drejtimi i
Trepçes së Mitrovicës, skuadër me të cilin kishte fituar edhe titullin kampion.

Plantak ka një përvojë të madhe në drejtim sepse ka qenë trajner edhe me ekipet Borik Puntamika (Kroaci), Jazine (Kroaci), Slavonski Brod (Kroaci), Shiroki (Bosnjë), Posusje (Bosnjë), si dhe me dy ekipet sllovake Komarno dhe Handlova.

Tashmë ai pritet të mbërrijë nesër në Shqipëri për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Sipas informacioneve të marra që mësohen në lidhje me këtë trajner, është se ai është shumë i rreptë me sportistët dhe shumë kërkues ndaj tyre.

Ky ndoshta ka qenë dhe shkaku që drejtuesit e ardhshëm të Vllaznisë kanë preferuar këtë trajner “për ta vënë në shina” ekipin i cili kohët e fundit ka kaluar shumë probleme.

Me siguri që Plantak sot mund të zhgënjehet nga ekipi që do të shohë ndaj “Goga Basket”, por kjo nuk do të thotë se do të pendohet për zgjedhjen që ka bërë.

Presidenti Xhaferri dhe drejtori Halili besojnë tek ky trajner dhe shpresojnë që suksesin të cilin ai e ka patur në Kosovë tek Trepça, pse jo ta përsërisë edhe tek Vllaznia. Megjithëse për momentin objektivi është tjetër gjë: Qëndrimi në kategori.
© shkodrasport.com