Elseid Hysaj do të mësojë pas dy javësh nëse e ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë te Napoli, apo nëse duhet të fillojë të mendojë në verë për transferimin në ndonjë klub tjetër.

Ekspertët e merkatos italiane bëjnë të ditur se pas dy javësh do të jetë takimi vendimtar mes menaxherit të tij, Mario Xhiufredi dhe presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentis për të diskutuar rreth futbollistit dhe kontratës së re, apo mundësisë së largimit.

Çiro Venerato, eksperti i merkatos së futbollistëve i RAI, ka shpjeguar se si është situata për rinovimin e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.

“Ekziston dëshira për të zgjatur kontratën e lojtarit. Në mesjavë ka pasur një darkë pune mes drejtuesit sportiv të Napolit, Kristiano Guintoli dhe menaxherit Mario Xhiufredi, ku ishte i pranishëm edhe drejtuesi Lombardo.

Por kërkesa mbetet e lartë, rrogë prej 3 milionë eurosh në vit deri në vitin 2013 dhe pa klauzolë largimi në kontratë”, shpjegoi ai.

“Pas 15 ditësh, menaxheri pritet në një takim nga Aurelio De Laurentis në zyrat e tij te Filmauro, palët janë të qeta dhe nuk ka tension deri tani mes tyre”, shpjegoi ai situatën.

Klubi ngurron t’i rinovojë Hysajt kontratën me kushtet e kërkuara pasi lojtari ka filluar të humbasë terren në hierarkinë e skuadrës ku deri para mbërritjes së Ançelotit ishte i pazëvendësueshëm.

Fakti se ai ka luajtur shumë pak në Ligën e Kampioneve dhe shpesh është ulur në stol edhe në kampionat, ka bërë që klubi të mos ngutet për një marrëveshje të re, duke lënë gjithçka të hapur për të ardhmen e mbrojtësit të kuqezinjve. /vipsport/