FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENjë element pozitiv, Vllaznia shënon çdo herë në kampionat

Një element pozitiv, Vllaznia shënon çdo herë në kampionat

Shkruar nga Gjergj KOLA

Pavarësisht startit jo në nivelet e pritshmërive, Vllaznia ka edhe një element pozitiv në këto tri javët e para të kampionatit. Kuqeblutë kanë treguar se e kanë gjetur rrugën drejt golit në çdo ndeshje, një sinjal që nuk duhet anashkaluar në analizën e këtij fillimi sezoni. Rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin, por në aspektin ofensiv skuadra ka dhënë disa shenja premtuese.

Në tri ndeshjet e para, Vllaznia ka shënuar pesë gola, një shifër që në vetvete nuk është aspak e vogël. Problemi qëndron te fakti se këto gola nuk kanë sjellë pikët e dëshiruara, pasi skuadra ka shpërdoruar raste të shumta dhe, mbi të gjitha, ka pasur probleme për ta mbrojtur avantazhin.

Kjo tregon se ekipi i Edi Martinit di të krijojë dhe të gjejë golin, por tashmë duhet të gjejë edhe balancat në prapavijë. Për një skuadër që synon të jetë në nivelet e kreut, nuk mjafton vetëm aftësia për të shënuar. Golat duhet të shoqërohen me një mbrojtje më të qëndrueshme, në mënyrë që puna e bërë në fazën sulmuese të ketë vlerën e saj në rezultat.

Një tjetër element pozitiv është shpërndarja e golave. Në tri javët e para, Vllaznia ka pasur tre autorë të ndryshëm: Bekim Balaj, Edon Murataj dhe Emiljano Musta. Kjo është një e dhënë që tregon se skuadra nuk është e varur vetëm nga një lojtar për të gjetur rrjetën.

Balaj vazhdon të mbetet një pikë reference në repartin ofensiv, ndërsa Murataj ka treguar se mund të jetë një alternativë e rëndësishme përpara. Edhe Musta, një lojtar i afruar gjatë merkatos së verës, ka dhënë kontributin e tij me gol. Pra, opsionet janë të ndryshme dhe kjo mund t’i japë Martinit më shumë zgjidhje gjatë sezonit.

Tani sfida kryesore për kuqeblutë është të vendosin ekuilibrin mes dy fazave. Nëse Vllaznia arrin të ruajë produktivitetin në sulm dhe njëkohësisht të korrigjojë problemet në mbrojtje, pesë golat e shënuar në tri ndeshje mund të marrin vlerën e duhur. Sepse pikërisht aty qëndron një nga çelësat për të kthyer një start të dobët në një sezon më të suksesshëm.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments