Erdhi nga stoli në minutën e 48-të dhe në të 49-tën vendosi takimin Vllaznia-Laçi me golin e tij. Po flasim për Victor Da Silva. Sulmuesi brazilian i dhuroi 3 pikë të arta kuqebluve mbrëmë me realizimin e tij kundër kurbinasve. Gol që e rifut Vllazninë në garën për titull kampion.

E për tu rikthyer tek 26-vjeçari duket se po i pranon vendimet e trajnerit Brdariç dhe nuk po bën kapriçot e tij të zakonshme. Braziliani e nisi sfidën nga stoli dhe kur u thirr në apel nga trajneri gjerman dha më të mirën e tij në fushën e lojës. Jo vetëm goli, por edhe grinta dhe dëshira e shfaqur nga Da Silva ishin në nivelin e duhur.

Goli i Da Silvas ishte i katërti për të në këtë sezon. Braziliani madje ka kaluar që në nëntor rekordin e tij të golave në sezonin e shkuar ku shënonte vetëm 3 gola. Performanca e Da Silvas ka qenë disi më konstante këtë sezon ku pavarësisht disa luhatjeve dhe dëmtimeve, ai është treguar shumë vendimtar.

Da Silva gjithashtu ka barazuar me gola edhe Ante Aralica. Tashmë të dy janë golashënuesit më të mirë të Vllaznisë me 4 gola të shënuar. Tifozët shkodranë shpresojnë që të dy të mos ndalen në shënimin e golave në mënyrë që ta ndihmojnë sa më shumë skuadrën në realizimin e objektivave.
Endri ÇINARI