Vllaznia po gëzon një formë shumë të mirë në javët e fundit dhe kuqeblutë duket se tashmë kanë lënë pas krizën e rezultateve. Pas dy fitoreve rradhazi me Kastriotin dhe Laçin, erdhi edhe një barazim në transfertë kundër Teutës. Rezultate shumë të mira për ekipin e Brdariç në këto javë.

Por ai që ka rënë në sy me performancën e tij sidomos në dy ndeshjet e fundit është Victor Da Silva. Sulmuesi brazilian ka gëzuar një formë në rritje ku ka qenë protagonisti kryesor i kuqebluve. Goli i tij në ndeshjen kundër Laçit i dha 3 pikët shkodranëve.

Po ashtu edhe mbrëmë kundër Teutës, 26-vjeçari ishte më i miri në fushën e lojës. Driblimet “dehëse”, por edhe asisti perfekt për golin e Latifit tregoi për formën e mirë të sulmuesit. Padyshim Da Silva ka qenë më i miri i ndeshjeve të fundit.

Sulmuesi po tregon karakter dhe forcë këtë sezon, ndryshe nga sezoni i shkuar kur Da Silva nuk kishte një stabilitet në formën e tij. Tashmë të gjithë shpresojnë që braziliani të vijojë në këtë formë, ku në javët e fundit padyshim është një nga më të mirët e kampionatit.

Endri ÇINARI

Da Silva protagonisti kryesor i Vllaznisë, gjithë sytë tek braziliani