Rezart Dabulla, ish-futbollisti i njohur i Tiranës, ka analizuar shanset e skuadrës bardheblu për titullin kampion. Ish-mbrojtësi, në analizën e tij në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, u ka bërë thirrje për kujdes që të mos bëjnë hapa të gabuar në vijim, edhe si pasojë e ndryshimeve në merkato. Njëkohësiht, ai ka thumbuar se prania e Kolelës të Partizani, mund të jetë një favor më shumë për ekipin e tij të zemrës.

“Tirana deri tani është mirë në vend të parë, pak e shkëputur nga të tjerët, por ka shumë rrugë të gjatë para, ka shumë ndeshje e përballje të forta. Duhet të ketë kujdes që të mos e bëjë si Vllaznia dy vite më parë që kryesoi për kohë të gjatë dhe në fund e mori Teuta. Duhet kujdes se është gjynah se ky është vit tamam i Tiranës. Por do të varet nga ata dhe të jenë të kujdesshëm, me 70-805 duhet të shpallen kampionë, duke parë cilësinë që kanë. Por në futbollin tonë gjithçka mund të ndodhë ndaj nuk është çudi që të mos shpallen, edhe pse unë do të shpresoja që po.

Po ta shoh si dashamirës e tifoz jashtë klubit, nuk më pëlqeu që Tirana shiti Xhixhën dhe Ismajlgecin, se i duhen skuadrës, se kampionati është i gjatë dhe do t’i shërbenin që të kishte më të sigurt titullin. Por afrimi i të tjerëve, duan momentalisht të marrin formën. Kam frikë që me këtë akord që ka bërë klubi, që shiti lojtarë, mos ka vështirësuar daljen kampion. Këtë do ia lëmë kohës, ajo do ta vërtetojë. Nëse arrijnë të fitojnë kampionatin me shitje dhe afrime, do u shtrëngoj dorën.

Strategjia e Tiranës? Mendoj se lojtarët e afruar si Lushkja e Abazaj janë të mirë, kanë cilësi, kanë menduar që i shërbejnë skuadrës. Po i afrojnë, po luajnë e dalin kampionë dhe marrin formë optimale dhe në të ardhmen mund të shiten edhe ata, si në rastin e Seferit. Kështu mendoj unë, logjika aty të çon, që po shes dy lojtarë të mirë dhe po marr dy të mirë që nuk kanë formë por do ta fitojnë, do të dalim kampionë dhe do të fitojmë të ardhura të mira.. Si strategji e kuptoj, por mos ka vënë në dilemë fitoren e titullit kampion.

Partizani bëri po të njëjtat lëvizje si Tirana, shiti lojtarë të rëndësishëm. Mori disa të ardhura të mira, por i hapi përsëri një gropë më tepër vetes. Për ne që jemi dashamirës të Tiranës, na bëhet qejfi që të mos jetë mirë, por e prisja që do të ishte në këto ujëra. Nuk është se ka bërë afrime me emër të njohur mes tyre, mund të jenë të mirë por mund të mos jenë në formën më të mirë,. Është e vështirë, edhe lojtarë të kombëtares që kanë ardhur e janë kthyer, kanë qenë të afirmuar e kanë njohur kampionatin, kanë pasur vështirësi këtu.

Unë dua që të qëndrojë Kolela te Partizani. Sa më gjatë që të qëndrojë, mbase ia bën më të lehtë punën Tiranës që të shpallet kampion. Jo se kam diçka me trajnerin… Unë kam gjithmonë pretendimin që të paktën te ekipet e traditës, duhet të marrin trajnerë shqiptarë dhe mundësisht që kanë qenë në atë klub më parë. Mundësisht të kenë dalë e luajtur nga ai klub se dinë vlerën dhe peshën e fanellës së klubit. Pastaj njohin më mirë kampionatin dhe lojtarët.

Dhe çfarë është më e rëndësishme, duhet të njohin kundërshtarin, si luajnë, cilët lojtarë janë, si luajnë, kë të vendosë përballë tyre, se edhe ajo ka rëndësi. Trajnerët shqiptarë njohin më mirë kampionatin, skuadrën e tyre dhe flasin shqip. Gjithmonë pretendoj që një ekip që të jetë i suksesshëm, i shërben në mënyrën më të mirë një trajner shqiptar me eksperiencë dhe i zoti, se ka edhe që nuk janë të tillë.

Unë pretendoj se Tirana momentalisht, por edhe përpara merkatos, ka grupin më të mirë të lojtarëve me cilësi individuale. Mendoj se duhej të ishte shkëputur me pikë, por kanë gabuar gjatë rrugës. Mund të ketë arsye të ndryshme dhe ka ndikuar që në disa ndeshje të mos marrin pikët e duhura”, tha ndër të tjera Dabulla.