Përparim Daiu, një ish-mbrojtës nga ata që krahasoheshin me shkëmbinjtë, në karrierën e tij, veçanërisht me fanellën e Partizanit, numëron shumë beteja ndaj Vllaznisë. Tashmë gjithçka e ndjek si një tifoz i pasionuar, por me emocionin që e “bluan” ende si të ishte lojtar.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Daiu flet për këtë sezon të Superiores dhe për skemën, që e konsideron të dështuar. Ai pret një duel të fortë të dielën mes kampionëve në fuqi dhe Vllaznisë, teksa sheh më të avantazhuar ekipin e Shehit.

“Ky sezon i Superiores ka qenë i çuditshëm, por tani mund të themi se kanë dalë pak a shumë në pah skuadrat më të forta, që do të luftojnë edhe për titullin në fund. Sa i përket vazhdimësisë, ky kampionat ka lënë për të dëshiruar. Një garë, që ka lënë të kuptohet se këto skuadra kanë pasur brenda paraqitjeve të tyre edhe tolerimin apo mosangazhimin maksimal në këto ndeshje të luajtura. Mendoj se edhe ulja e shikueshmërisë nga tifozët nëpër stadiume është rrjedhë e këtyre pikave të dobëta.

Si strukturë kampionati mendoj se është e dështuar. Është e vërtetë që do të kenë një vëmendje dhe bukuri ato tri ndeshjet që do të luhen në fund, por nuk ekziston më specifika e kampionatit. Ngjan me kompeticionin e Kupës. Në një ditë mund të rastisë të jesh në moment jo të mirë dhe mund ta fitojë edhe skuadra që nuk e meriton titullin.

Sa i takon ndeshjes së nesërme në mes Partizanit dhe Vllaznisë, për historinë dhe tifozeritë që kanë këto dy skuadra, për më tepër që ndodhen pranë njëra-tjetrës dhe luftojnë së bashku, është një ndeshje, që meriton vëmendje maksimale nga sportdashësit, por edhe nga vetë lojtarët dhe stafet teknike. Luhen ndeshjet e fundit “kolauduese” për finalet e mëdha dhe janë kundërshtarë që të studiojnë dhe që shohin të bëjnë korrigjimet e fundit para ndeshjeve që vendosin titullin…”- është shprehur Daiu.