Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka theksuar se barazimi i sotëm ndaj Teutës reflektonte gjendjen e skuadrës në këtë moment kur kalendari është i ngjeshur, teksa kishte ankesa për gjykimin.
“Më mirë apo më keq? Besoj se mund të bënim të dyja se është ndeshja e tretë brenda 9 ditëve, që do të thotë se si për ne e për Teutën, nuk jemi në maksimumin tonë. Si shkoi loja, sidomos kur mbetëm me një lojtar më pak, se është bërë Dinamo si të jetë ekipi më agresiv. Ka një shpjegim shumë të thjeshtë. Keni parë ndonjëherë agresivitet nga Dinamo? Prapë janë 5 të kuq. Dinamo është ekip që gjithë jetën ka luajtur me topin, nuk ka dyluftime të forta e faulle, ne jemi ekipi që jemi dënuar më shumë.
Sot dy të verdhë në mesfushë, nuk e di nëse është dhënë ndonjëherë i verdhë për simulim në mesfushë, po të ishte në zonë edhe po. Të jepen dy të verdhë, vetëm sot kam parë, u bënë kaq vite në futboll. Mund të jetë ndonjë iluzion optik apo nuk e di, se kanë filluar këto që bëjnë moviolën ta kalojnë te iluzionet optike, por besoj që ishte një ndeshje…
Është e akumuluar dhe besoj që me atë që bëmë në fushë, me numër të barabartë, barazimi ishte rezultati më i drejtë se edhe Teuta kishte raste e veta, pavarësisht se të pakta. Por që sigurisht që këtë pjesë duhet ta shohin me shumë seriozitet, pjesën e kartonëve, sidomos për ekipin tonë se nuk jemi agresivë, nuk luajmë futboll të ashpër. 5 kartonë më duken shumë për 10 ndeshje se i bie një çdo dy ndeshje.
Edhe kartonët e kuq kanë qenë disa nga të verdhë, nuk shënohen më të verdhë që dalin më pak. Nëse po flasim për sot, për dy faulle në mesfushë, që i dyti nuk ishte as faull, ishte në favorin tonë dhe kishte kontakt. Të dalësh me të kuq… Ai që kur e mori të parin, nuk e mori veten, se të marrësh të verdhë që në fillim nuk ke kohë presioni se do ruhesh se i dyti të nxjerr direkt.
Ajo që mungoi ishin rastet që nuk ishin të shumta për ne Teutën. Edhe terreni, ndonëse është shumë i mirë, është rrëshqitës dhe nuk luanim me pasime pas shpinës së mbrojtjes se çdo top në tokë ishte i vështirë për t’u kontrolluar. Ndaj nuk shkuam me shumë raste, ato pak që krijuam, ndoshta duhej të ishim cinik se nganjëherë kur nuk bën më të mirën e mundshme, mund të zgjidhet nga ndonjë episod, siç e kishte edhe Teuta.
Krahu i majtë nuk funksionoi edhe për faktin se Neziri ishte ndeshja e dytë si titullar, ka bërë shumë mirë dhe me Partizanin, do kohën e vet të ambientohet qoftë me mënyrën se si luajmë ne, edhe ai me veten e vet për t’u bërë pjesë e rëndësishme. Krahu i majtë nuk funksionoi, edhe Vila nuk ishte në një ditë të mirë. Vila në karrierën e vet ka qenë gjithmonë sulmues krahu, te ne po luan disa role. Sot ishte qendër e dytë me Guindon dhe nuk ishte pikë referimi për ne që të mblidhte topat, për të kërcyer me mbështetjen nga poshtë lart me numrat 8 tanët”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.







