Ilir Daja ka theksuar se barazimi i Dinamos së tij ndaj Elbasanit ishte rezultati më i drejtë. Por ai ka insistuar gjithashtu se ekipi i tij duhej të kishte shënuar i pari e ndoshta ndeshja do merrte rrjedhë tjetër.
“Do të thosha që në pjesën e parë, me rastet që kishim, duhej të kalonim më shpejt ne në avantazh se sa të pësonim. Kishim situata dhe me goditje standarte që na dolën siç i kishim përgatitur. Por kishim edhe zotërimin e fushës dhe kishim situata të tjera. Sigurisht që kemi disa të dëmtuar, një nga këto është Guindo i cili është lojtari tipik që të çojë topin në rrjetë. Farruku ka sakrifikuar se në pushim të ndeshjes tha që nuk jam aq mirë që nga përplasja te penalltia. Kemi futur një 18-vjeçar dhe një 19-vjeçar dhe kemi përdorur të gjithë potencialin që kishim në stol.
Ndoshta ishte edhe Karamba, por edhe Qardaku ka bërë shumë mirë, por na duhej të freskonim në pjesën e sipërme që të shkonim te një gol që të na jepte tre pikët. Ishte një lojë e mirë nga dy ekipet, në një stadium që luhet mirë futboll, kishte ritëm. Kjo pjesa e mungesës së lojtarëve me eksperiencë, çeduam në pjesën e dytë me humbjen e topit, na vjen keq për mosrealizimin e rasteve, por në fund rezultati më i drejtë ishte barazimi.
Ne po punomë edhe me lojtarët e rinj që kanë ardhur për finalizimin, por sigurisht është edhe pjesë individuale e lojtarëve. Por duhet patjetër të kemi një apo dy sulmues me eksperiencë në merkaton e janarit. E dimë që do kemi probleme se nuk është një periudhë që afron lojtarë shumë cilësorë, por shpresojmë që të paktën përveç Guindos, të kemi edhe një lojtar tjetër se Guindo është i dëmtuar. Pa përmendur ata që kemi brenda ekipit, që nuk kanë eksperiencën e duhur, se duan kohën e vet se janë të rinj dhe është hera e parë që luajnë në Superiore.
Duke parë që edhe Elbasani në një pjesë të madhe loje, mbrohej me 4, kishte dy para mbrojtjes, shfrytëzuam këto korridore që me Berishën mund ta bënim më mirë. Po t’u kujtohet pjesa e dytë me Vllazninë, ishte ai që merrte zonat. Ne në fazën e sulmit na mungoi eksperienca, ai e ka. Nuk është lojtar te goli por mund të nxjerrë të tjerët për shënim. Ndaj dalja e tij, na prishi goxha punë.
U konsultova disa herë për kohën e ndërrimeve me stafin. Ajo që na shqetësonte, ishte fakti që na dilnin markues në goditjet standarte, se Xhejms e Mustafa janë të rinj që nuk e bëjnë dot atë që bën Qefalija, apo Qardaku në goditje standarte. Mund të tentonim, por do të rrezikonim në krahun tjetër. Për Mustafa ishte ndeshja e parë që luante me ekipin e parë, ndërsa Xhejms ka pak minuta, prandaj për këto gjëra i vonuam ndërrimet derisa i mbajtëm në lojë lojtarët që dhanë maksimumin dhe në fund nuk kishim çfarë të bënim më. Mund të tentonim përpara, por mund të rrezikonim shumë. Ndonjëherë, duhet rrezikuar për të fituar.
Në momentin që Beqja shoqëronte Qefaliajn në presing lart, ne na krijohej hapësira shumë e madhe që duhej të shoqërohej me lojën një kundër një në shkallëzim të mbrojtjes. Nuk e kishim ndaj u detyruam të mbanim Beqjen mbrapa, për të krijuar një linjë të dytë për të marrë topin.
Aty ndoshta ndjej më shumë probleme, se ngarkesa që ka Aliji është shumë e madhe dhe mund ta humbasim Aljin për një periudhë dymujore, se ka probleme me pubalgjinë dhe mund të operohet, e ka luajtur i sforcuar. Është edhe mungesa e Ditës, përveç lojtarëve të sulmit që përmenda për të shkuar te goli. Kur kemi të gjithë lojtarët, minutat e ndërrimeve mund të ishin bërë më para dhe konkurrenca çon gjërat përpara se vetëm me rivalitet rritet cilësia e ekipit.
Gudiabi? Ka dy ditë me gjendje gripale. Nuk ishte dëmtim, vetëm gjendje gripale”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.







