Prej 3 sezonesh është pjesë e skuadrës së parë e tashmë është momenti i tij për të qenë titullar. Fjala është për Kristi Qarrin, që tashmë është numëri 1 i portës së Vllaznisë. Portieri i rritur dhe formuar në akademinë kuqeblu, tashmë këtë sezon do jetë zgjedhja e parë pas largimit të Zogovic.

Si stafi drejtues e po ashtu ai teknik besojnë tek aftësitë e 22-vjeçarit, që shihet si një element që mund ti vlejë për shumë vite skuadrës. Që në ndeshjen e parë debutuese kundër Kukësit, Qarri tregoi vlerat e tij. Duke mos gabuar në asnjë çast, ku edhe goli i pësuar nuk ishte si faj i tij. Dhe mundësia për të reaguar ishte thuajse e pamundur.

Madje mund të thuhet se ishte Qarri ai që nuk la ndeshjen të merrte një drejtim ndoshta tjetër. Pasi ishte shpëtimtar dy herë brenda një aksioni për kuqeblutë. Ku në rast se kuksianët do shënonin, do hapej takimi dhe nuk dihej se si mund të shkonte ndeshja. Rritja e Qarrit ka qenë graduale nga sezoni në sezon.

E tashmë është momenti i tij të tregojë se do jetë ai i padiskutuar në katër këndorin e Vllaznisë. Ku siç dihet në mbarë futbollin, pozicioni i portierit është shumë delikat. Dhe duhet një person që jep siguri dhe personalitet për të gjithë skuadrën.
Endri ÇINARI