Vora, sot do të luajë përballjen e saj të dytë ndaj Tiranës, ku ka dalë fituese në sfidën e parë mes tyre në Superiore, duke fituar me një rezultat bindës 3-1 në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Laçit.

E këtë kërkon ta përsërisë edhe sot. Lidhur me përballjen kundër Tiranës, 27- vjeçari Dajan Shehi, është i bindur që Vora jo vetëm që nuk do të jetë kalimtare në Superiore, por ajo do të pretendojë të renditet sa më lart në tabelë dhe të tentojë, ndoshta edhe zonën europiane. Ndërkohë që mendon se Vora do të marrë përsëri një rezultat pozitiv ndaj Tiranës.

“Që kur erdha tek Vora, me dëshirën time, pas eksperiencës time të re në kampionatin kosovar, e cila më shërbeu shumë për të ardhmen dhe arrita objektivin e klubit, kam qenë dhe jam i bindur për projektin që kishte Vora, pasi ky klub është një klub serioz dhe bën gjithccka për të plotësuar synimet e veta”, tha ai.

Duke vijuar më tej elbasanasi që e ka sezonin e dytë me Vorën dhe është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, Dajan Shehi, ndihet shumë mirë pranë klubit vorak.

“Gjatë këtyre dy sezoneve që unë jam bërë pjesë e Vorës, ndjehem shumë mirë pranë këtij klubi, pasi synimet janë të qarta dhe të gjithë mundohemi që të japim sa më shumë nga eksperiencat e secilit prej nesh në ndihmë të kësaj skuadre dhe shpresojmë që do të qëndrojmë sa më gjatë në superiore. Vora ka një skuadër mjaft të mirë dhe ka disa lojtarë të rinj në përbërje, por dhe me eksperiencë në Superiore, duke e treguar atë në të gjitha aspektet e ndeshjeve të luajtura deri tani. Unë gjithmonë e kam cilësuar, se Vora do të jetë surpriza e këtij kampionati”, deklaroi lojtari.

Ndërkohë Shehi lidhur me përballjen e së shtunës kundër Tiranës do të shprehej i qartë.

“Vora përballë çdo kundërshtari të radhës, futet me synimin për të marrë maksimumin e pikëve, që për ne do të thotë fitore. Shpresojmë që edhe në ndeshjen ndaj Tiranës, të arrijmë edhe fitoren e dytë ndaj tyre. Objektivat e mia pranë kësaj skuadre janë, që unë të vihem në shërbim të klubit, për të kontribuar maksimalisht ndeshje për ndeshje në mënyrë, që të realizohen objektivat e klubit tonë, që përveçse është qëndrimi në Superiore, të mund të sigurojmë dhe një pozicionim sa më të lartë në tabelë, e pse jo të mos flijohemi dhe me zonën ‘europiane’”, ka përfunduar prononcimin e tij mbrojtësi i Vorës që ka një minutazh aktivizimi më shumë se çdo lojtar tjetër i Vorës, prej 720 minutash.