Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alvesh, ka dhënë një intervistë për “Vamos” në televizionin “Movistar” përpara ndeshjes së nesërme kundër Atletikos së Madridit. Mes shumë temave, Dani Alvesh ka folur dhe për “pataten e nxehtë” në Barcelonë, Osman Dembelenë.
Sulmuesi francez nuk mundi të transferohej në merkaton e janarit dhe pret fundin e sezonit për t’u larguar si lojtar i lirë. Presidenti Laporta ka dalë qartë kundër lojtarit duke kërkuar dëbimin e tij, ndërsa zgjedhja më e vështirë i ka mbetur trajnerit Ksavi, i cili ndodhet mes dy zjarresh.
Nga njëra anë me klubin që e shtyn ta dërgojë Dembelenë në tribunë dhe nga ana tjetër me faktin se ai e do në fushë një lojtar si Dembele që i ofron cilësi.
Dani Alvesh ka deklaruar se Barcelona do të bëjë gabim nëse do ta dëbojë sulmuesin. Po ashtu Alvesh ka folur dhe për lënien jashtë skuadre për Ligën e Europës, duke pranuar vendimin, pavarësisht se nuk i ka pëlqyer aspak.
LËNIA JASHTË EUROPE – “Nuk mund të them se më ka pëlqyer, por unë respektoj vendimin e klubit. Jam i përqendruar çdo ditë në punën që bëj. Dhe gjithashtu e kam thënë dhe e them se ne jemi të punësuar të klubit dhe ai e vendos se çfarë është më e mira.
Do të kisha dashur të isha pjesë e ekipit në Europë, por e dija se ishim 4 lojtarë për tri vende. Mbeta unë jashtë dhe respektoj vendimin”.
DEMBELE – “Kanë ndodhur shumë gjëra, kjo është një histori e ngatërruar. Deri në momentin që është pjesë e këtij klubi, duhet të luftojë për këtë fanellë, për shokët e tij.
Pastaj se çfarë do të ndodhë në fund të sezonit, të presim. Mendoj se duhet të tregohemi më të zgjuar me të. Nuk duhet të bëjmë gabimin e ta degdisim në tribunë. Përkundrazi, duhet ta shfrytëzojmë”.