Mesfushori rumun i Vllaznisë, Danny Dragoi, është i bindur që me ndihmën e tifozëve, ekipi mund t’i përballojë të gjitha vështirësitë dhe të arrijë një vend në kompeticionet evropiane. Në kampin shkodran vazhdojnë intensivisht seancat stërvitore në kuadër të ndeshjes që do të luhet të dielën ne stadiumin e qytetit të Laçit, kundër ekipit vendas. Nën drejtimin e teknikut Bushati, lojtarët po i japin dorën e fundit përgatitjeve dhe ndeshja pritet me optimizëm nga lojtarët, të cilët besojnë të një rezultat pozitiv kundër bardhezinjve. I të njëjtit mendim është dhe Danny Dragoi, i cili mund të konsiderohet një nga blerjet më të zgjuara të shkodranëve në merkaton e verës. Mesfushori 30-vjeçar i kuqebluve ka shënuar deri më sot pesë herë dhe i vetëm i ka dhënë shtatë pikë Vllaznisë, për të mos përmendur këtu asistet dhe lojën e bukur. Ai shprehet optimist për ndeshjen e të dielës dhe beson te forca e ekipit dhe thekson se me ndihmën e tifozëve shkodranë, nuk ka pengesë që e ndal Vllazninë.

Danny, një sezon mjaft i mirë për ju deri tani me fanellën kuqeblu. Keni shënuar pesë herë në portat kundërshtare dhe jeni dalluar për lojë të bukur. Si ndiheni në sezonin tuaj të parë në Shkodër?

Ka qënë një vit mjaft i mirë deri tani te Vllaznia. Vërtetë kemi pasur ulje-ngritje, kemi humbur dhe kemi fituar, por e rëndësishmja është që kemi krijuar një grup mjaft të mirë dhe jemi lidhur shumë më njëri-tjetrin. Të gjithë lojtarët janë djem të shkëlqyer dhe pa ata nuk do kaloja këtë aventurë të shkëlqyer dhe realisht i falënderoj të gjithë në ekip që më kanë trajtuar si një të afërm të tyre.

Përpara se të vinit në Shqipëri keni luajtur në Amerikë, Kanada dhe në Itali me Varezen. Kush është niveli i këtyre ligave në krahasim me kampionatin tonë?

Po, përpara se të vija në Shqipëri kam luajtur në Amerikë, Kanada dhe Itali dhe mund të them që këtu niveli është i lartë, ka lojë të fortë dhe fizike, por ndryshe nga kampionatet e tjera, këtu diferencat mes ekipeve nuk janë të mëdha. Ekipet që kanë mentalitetin e duhur janë në pjesën e sipërme të klasifikimit, sigurisht dhe ekipet që shpenzojnë shumë ndodhen aty, por diferencat mbeten gjithmonë të vogla.

Dallojmë qartë një ndryshim të madh mes Vllaznisë së fazës së parë dhe Vllaznisë së kësaj faze. Si e komentoni këtë evolucion të ekipit?

Po flas për veten këtu dhe po them që unë këtë fazë kam shënuar vetëm një gol kundër Bylisit, por pavarësisht kësaj e ndiej se te Vllaznia gjërat nuk janë më njësoj dhe mendoj se trajneri Bushati ka ndryshuar tërësisht mentalitetin tim dhe atë të gjithë e ekipit. Ai na motivon kaq shumë dhe seancat stërvitore nën drejtimin e tij janë të ngarkuara dhe energjike. Unë e adhuroj atë për energjinë dhe për këmbënguljen dhe durimin e tij dhe mendoj se po e kthen Vllazninë në një ekip fitues. Unë uroj që një ditë të bëhem një trajner si ai.

Një fitore e vështirë me Bylisin, por që konfirmoi ecurinë tuaj dhe tani Vllaznia ka 4 fitore në pesë ndeshje. Duke parë rezultatet dhe renditjen, kush janë objektivat e Vllaznisë?

Vllaznia është një ekip modest, jo në kuptimin e cilësisë po në kuptimin që këtu punojmë dhe përkushtohemi dhe mendoj se kjo është e vetmja mënyrë me të cilën do vazhdojmë të fitojmë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, dhe të vazhdojmë kështu, pasi një gabim i vogël do na kushtonte shumë.

Kundër Laçit ama nuk do jetë një ndeshje si të tjerat. Ç’mendoni për takimin e radhës?

Jo, për ne do të jetë njësoj, pak rëndësi ka kundërshtari. Për ne, këtej e tutje çdo ndeshje do jetë si një finale, dhe e tillë do të jetë dhe ndeshja kundër Laçit, sepse në rast se humbasim e gjithë puna që kemi bërë do na shkojë dëm. Ne jemi kaq pranë Evropës, ndërkohë që pak kohë më parë ishim kaq larg, prandaj dhe mendoj që me Laçin do të jetë një finale.

Dukeni mjaft i kënaqur nga tifozeria dhe nga qyteti i Shkodrës. Si janë marrëdhëniet tuaja me tifozët e Vllaznisë, por edhe me qytetarët e Shkodrës?

Si mos të jem? Shkodra është një qytet i shkëlqyer dhe unë dua të falënderoj të gjithë shkodranët që kanë besuar dhe besojnë tek unë dhe te ky ekip. Jam i bindur që nëse në jemi të bashkuar me njëri-tjetrin, pra, qyteti dhe lojtarët, atëherë mund të shkatërrojmë ç pengesë që na del përpara. Ndërsa, gjej rastin që të falënderoj dhe mikun tim, z. Sezi dhe gjithë stafin e Restorant Sezi, për mikpritjen që më kanë bërë dhe për mënyrën sesi më kanë trajtuar kaq kohë sa jam në Shkodër.