E ardhmja e Elseid Hysajt lidhet ngushtë me datën 30 qershor pasi ajo është dita e fundit kur merr fund klauzola e tij e famshme e largimit prej 50 milionë eurosh.

Pas asaj date, e ardhmja e futbollistit shqiptar është plotësisht në duart e Napolit.

Në momentin kur firmosi rinovimin me napolitanët, dy vite më parë, Hysaj përfitoi rritjen e rrogës, por edhe vendosjen e një klauzole largimi.

Në këtë mënyrë, për sa kohë që lojtari gjente një akord me një klub tjetër dhe ai ishte gati të paguante 50 milionë euro, futbollisti shqiptar mund të largohej pa u shqetësuar nga skuadra italiane.

Kjo klauzolë ka vlerë deri më datën 30 qershor të këtij viti, pasi që nga 1 korriku, çmimin e shitjes së tij e vendos Napoli dhe ofertat duhet t’i shkojnë direkt klubit italian dhe jo futbollistit.

Sipas mediave italiane, kjo është arsyeja pse palët presin të shohin nëse ka klube të interesuara realisht për të paguar këtë klauzolë largimi, para se të merret vendim nëse Hysaj do të shitet apo jo.

Gjithsesi, raportohet se Napoli shpreson që ta mbajë edhe për vitin e parë nën drejtimin e Ançelotit, ndaj po mendon realisht që t’i rinovojë marrëveshjen futbollistit të përfaqësueses, sigurisht, pas datës 1 korrik. /vipsport/