Tirana-Vllaznia do e hapin vitin 2022 me sfidën e javës së 16-të mes tyre. Klasikja e Shqipërisë rikthehet që në hapje të kampionatit për këtë sezon dhe pritet të japë spektaklin e zakonshëm. Kjo duke parë se luhet edhe në stadiumin më modern të mundshëm, “Air Albania”. Një impiant që lejon skuadrat të shprehin potencialin e tyre real.
Por brenda sfidës do ketë edhe një duel “samba” mes futbollistëve që do zbresin në fushën e lojës. Në krahun e Vllaznisë në pjesën e parë të sezonit, një prej futbollistëve që ka pasur performancë shumë të mirë është Victor Da Silva. Fantazisti braziliani ka shënuar 4 gola dhe 3 asiste deri më tani në Superligë duke dhënë një kontribut shumë të madh për kuqeblutë.
Tek Tirana së fundmi është afruar në ekip Devid De Silva. Sulmuesi brazilian i cili shkëlqeu me Kastriotin sezonin e shkuar duke shënuar 10 gola në kampionat, tashmë është pjesë e bardhebluve. Një futbollist jo i panjohur për ambientin e futbollit tonë dhe që garanton gola për 25 herë kampionët e vendit.
Një duel “Silvash” do jetë në “Air Albania” të shutnën. Por se nëse do jetë fitues Da Silva apo De Silva do duhet të presim deri në përfundim të sfidës së klasikes. Patjetër që spektaklit të sfidës do ia shtojnë klasin edhe dyshja “karioka” që priten si titullarë në fundjavë.
Endri ÇINARI