Aurelio De Laurentiis çdo javë përfundon në qendër të vëmendjes për daljet e tij në media dhe këtë radhë ka folur gjatë një takimi të sindikatave industriale. Tema, natyrisht Napoli, transferimet dhe një batutë plot ironi ndaj Juventusit.

AFATI KALIMTAR – “Në janar Napoli do investojë për një futbollist, por nuk ua them rolin”.

HELMI NDAJ JUVES – “Jemi skuadra e 19-të në botë, nuk kemi borxhe te bankat dhe jemi një model virtuoz. Ndoshta nuk do arrijmë ta mundim Juventusin, ku i dihet, por me të ardhurat që ka Juventusi 10 tituj kampionë do i fitoja edhe unë. Ne shpesh i kemi shkuar shumë pranë titullit”.

PLANI – “Do blej një klub, projekti po ecën përpara”.

STADIUMI – “Kam zbuluar që PSG paguan një milion euro në vit për qiranë e stadiumit të vet, ndërsa arkëton 100 milionë euro në vit, me 47 mijë vende në stadium. Ne nuk i kalojmë 17-18 milionët, sepse nuk kemi aktivitete të tjera brenda stadiumit, Bashkia nuk ka bërë asgjë për San Paolon.

Të ishte për mua, gjeja terren të ri për 2 sekonda dhe për 18 muaj kishim stadium të ri. Megjithatë, San Paolo është teatri i Maradonës, e vetmja pjesë e rëndësishme e historisë së Napolit, e një të shkuare që nuk dua ta harroj”.