Fjalëve të trajnerit të Partizanit Skënder Gega për aktivizimin e pakët të sulmuesit Erald Çinari me të kuqtë i është kundërpërgjigjur drejtori i Akademisë Vllaznia Alban Hasani, i cili saktësoi se ish-futbollisti i kuqebluve ka luajtur për 3 sezone në Kategorinë Superiore.
Për “Shkodra News”, ai thumboi kampionët në fuqi të Shqipërisë për zbritjen në Kategorinë e Dytë vite më parë.
“Çinari nuk ka pasur asnjë problem. Është një garë, luajnë 11 deri në 14 lojtarë. Lojtarët kanë marrë pjesët e veta. Nëse te Vllaznia ka pasur hapësirë, është ndryshe këtu. Partizani nuk është Shkodra, që është në Kategorinë e Parë. Ka qenë 19 vjeç kur ka luajtur atje. Ka ardhur i mirëpritur. Ka punuar jashtëzakonisht mirë. Jemi të kënaqur për atë që ka bërë. I duruari i fituari”, deklaroi tekniku i Partizanit Skënder Gega.
“Kam një respekt shumë të madh për trajnerin Gega për rikthimin e titullit pas 26 viteve te Partizani. Por, është i informuar gabim. E para Çinari nuk ka luajtur asnjëherë në kategori të parë, por vetëm në superligë për afro 3 vite, ku ka qenë golashënuesi jonë më i mirë.
E dyta është aktivizuar me ekip të parë si lojtarë formacionit që në moshën 17-vjeçare, kur në ekip ishte trajner Baldo Ranieri e pas tij ishte Luan Zmijani, ku përkrah tij janë aktivizuar Sherri, Gurishta, Hakaj, Kalaja, Vecaj, Hebaj.
Dhe e treta, Vllaznia është Vllazni e pavarësisht se kemi rënë në një kategori më poshtë të paktën ngushëllohemi se nuk e kemi provuar kategorinë e tretë si Partizani.
Zotëri të nderuar VLLAZNIA nuk është ekip që merret për shembull negativ, sepse kemi qenë, jemi dhe do të jemi ekipi më i mirë në Shqipëri, ku kemi respektuar të gjithë ekipet shqiptare dhe sidomos Partizanin, ku i kemi dhënë gjithmonë lojtarët tanë më të mirë në të gjitha aspektet”, përfundoi Hasani në lidhje me fjalët e trajnerit Gega për Erald Çinarin./newsport/