Garat e djeshme në Shkodër në kuadrin e kupës “100 vjet atletikë Vllaznia” siç kemi bërë të ditur kanë dhuruar edhe rezultate të larta, ku ka spikatur padyshim rekordi i atletit shkodran Franko Burraj në garën e 200 metrave.

Ai vendosi kohën e re 21″45 duke thyer rekordin e mëparshëm prej 21″59 që mbahej prej 21 vitesh nga shkodrani tjetër Oltion Luli.

Por gjëja më interesante që ka ndodhur pasditen e djeshem në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë se menjëherë pasi u mësua se kishim të bënim me rekord të ri, ndër të parët që ka uruar Frankon ka qenë pikërisht ai, Oltion Luli.

Rekordin e vet e kishte vendosur në Luksemburg më 30 maj 1998 dhe që atëherë ka qenë ai “mbreti” i garës së 200 metrave në Shqipëri. Por nga dje, i ka dorëzuar stafetën një tjetër “mbreti” dhe këtë e ka bërë më kënaqësinë më të madhe.

“Rekordet për këtë punë janë bërë, për t’u thyer dhe nga sot jam një ish-rekordmen tashmë. Jam i gëzuar kur shoh që rekordi im thyhet pas 21 vitesh nga një atlet shumë i talentuar dhe për më tepër edhe ai i Vllaznisë si Franko Burraj dhe i uroj ta thyejë sërish edhe në të ardhmen dhe të arrijë sa më shumë rezultate të larta sportive”- ka thënë ish- rekordmeni Luli.
© shkodrasport.com