Eros Grezda ka bërë sot debutimin e tij zyrtar në futbollin hungarez, duke zbritur pak minuta në fushë në ndeshjen që ZTE ka luajtur kundër Pushkash Akademi. Një duel ku ai nuk pat shumë mundësi të tregonte aftësitë e tij pasi pak çaste pasi hyri në lojë, dueli u braktis.

Sfida ishte në shifrat 2-1 për Pushkash Akademi kur trajneri vendosi t’i jepte hapësirë Grezdës, që të fillonte të jepte kontributin e tij në fushën e lojës. Ai u aktivizua në minutën e 68, pro sfida nuk vazhdoi edhe për shumë minuta.

Shkak u bë një stuhi e pazakontë mbi ZTE Arena, me reshje shiu dhe erë të fortë që bënte të pamundur vijimin e lojës. Kështu, gjyqtari vendosi braktisjen e sfidës për ta zhvilluar pjesën e mbetur të saj në një datë tjetër.

Sigurisht, një start i pazakontë për sulmuesin shqiptar, por gjithsesi një sinjal i parë se Grezda po kthehet në fushë, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh me dëmtime e probleme që kushtëzuan karrierën e një lojtari që cilësohej si një talent që do të bënte shumë rrugë në futbollin europian.