Mirel Josa do debutojë ditën e shtunë kundër Egnatias në stolin e Vllaznisë. Trajneri kryeqytetas rikthehet për herën e tretë në Shkodër dhe tashmë me misionin e qartë për të kualifikuar ekipin në kupat e Europës, ku ka mbetur për tu luajtur edhe finalja e kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë e Joses do jetë pikërisht përballë rrogozhinasve.

Një kundërshtari ndaj të cilëve shkodranët nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore këtë edicion. Por statistikat e Joses me Laçin, që e drejtonte deri para pak kohësh janë pozitive kundër rrogozhinasve. Kështu ish-mesfushori ka arritur një fitore në shifrat 0-2 përballë Egnatias dhe një barazim me rezultatin 0-0 në Superligën e këtij sezoni.

Këtu nuk duhet harruar edhe kualifikimi përballë rrogozhinasve në kupën e Shqipërisë në periudhën ku drejtonte laçianët. Tashmë me Vllazninë, Josa do kërkojë të thyejë “tersin” që kanë pasur shkodranët këtë edicion kundër Egnatias. Ndeshja do luhet ditën e shtunë në orën 17:00.

Ndoshta arritja e Europës nëpërmjet kampionatit në këto momente duket e vështirë, por këto dy ndeshje të fundit të edicionit do shërbejnë për të njohur skuadrën për Josen. Kjo edhe për të qenë të përgatitur për ndeshjen finale të kupës që do luhet me 31 maj kundër Laçit.

Endri ÇINARI