Superiore dhe ingranim i të rinjve në skuadër. Kjo është linja që klubi i Dinamos ka përcaktuar për këtë sezon dhe fillimi duket premtues. Trajneri Nevil Dede madje theksonte para nisjes së kampionatit se do të ishte ideale, nëse Dinamo arrin t’i bëjë njëkohësisht këto dy gjëra.

Kanë kaluar vetëm tri javë kampionat dhe sinjalet duken vërtet pozitive sa i takon objektivit të dyfishtë. Blutë kryesojnë Kategorinë e Parë me 7 pikë, ndërkohë që hapësira për të rinjtë nuk ka munguar.

Përveç 18-vjeçarit Simon Simoni, një titullar fiks në formacion, të tjerë talente presin shansin e tyre.

JORDI JAKU – Ndaj Burrelit këtë shans e pati 16-vjeçari Jordi Jaku. Mesfushori nga Rrësheni luajti 14 minuta në atë ndeshje dhe për aq sa ishte në fushë tregoi diçka nga potenciali i tij.

Rasti i Jakut në fakt nuk është thjesht një debutim dhe ndoshta nuk do të kishte marrë kaq vëmendje, nëse në mes nuk do të ishte… Ajaksi, klubi i famshëm holandez që shquhet si një nga fidanishtet më të mëdha të talente në botë.

“Panorama Sport” mëson se Jaku ka kryer një testim 10- ditor te gjigantët holandezë pak kohë më parë dhe rezultatet kanë qenë shumë të mira. Problemi qëndron në faktin që lojtari nuk ka dokumentacionin e nevojshëm për të kaluar në Holandë.

FIFA nuk lejon marrëveshje për minorenët ekstrakomunitarë, kështu që Jakut i duhet të presë të mbushë moshën. Tashmë ai është pjesë e bluve dhe pas debutimit të javës që shkoi, me siguri do të ketë më shumë minuta nga stafi dinamovit, sidomos në ndeshjet brenda.

Ndeshja me Burrelin ishte rasti klasik, ku të rinjtë e skuadrës kryeqytetase mund të zbresin në fushë për të treguar vlerat e tyre dhe pse jo për t’i shtuar minuta vetes.

Jaku, pavarësisht moshës shumë te re, tregoi personalitet në fushë për aq sa luajti dhe në kontaktet me topin u duk shumë i sigurt. Një xhevahir për Dinamon dhe ndoshta për futbollin shqiptar. Ai ka gjithë potencialin për të kaluar në një klub të huaj. Deri atëherë do t’i shërbejë Dinamos.

TË TJERËT – Blutë kanë në organikë edhe elementë të tjerë të rinj. Aurel Marku, aktualisht i dëmtuar, është një mbrojtës premtues, ashtu si mesfushori Oresti Kasmollari apo dhe Alisio Përloshi. Drejtuesit dhe stafi i kanë në vëmendje.

Paralelisht me objektivin e Superiores, ata kanë në fokus edhe rritjen e këtyre të rinjve, që i shërbejnë së ardhmes së klubit, sportivisht dhe ekonomikisht.